Përkujtojmë 109 vjetorin e lindjes së Imzot Antonin Fishtës ofm
(13.04.2011 RV)Imzot Antonin Fishta lindi në Shkodër, më 13 prill 1902. Ndjeu shpejt
thirrjen rregulltare, që e shtyu të hynte në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Kreu
mësimet fillore e të mesme në Shkodër e Troshan, për ta vijuar përgatitjen në vise
të ndryshme françeskane të Italisë. U shugurua meshtar në moshën 25 vjeçare, më 14
gusht 1927 dhe filloi shërbimin si profesor në Liceun "Illyricum" të Shkodrës. Më
pas qe dërguar famullitar në Abat të Shalës, në Dukagjin. Që nga viti 1948 mbajti
vendin si i deleguar ipeshkvnor në Pult. Më 1956, në rrethanat dramatike të presionit
të diktaturës për shkëputjen e Kishës Katolike në Shqipëri nga Selia Apostolike, u
emërua ipeshkëv i Pultit, duke zëvendësuar kështu ipeshkvin e fundit që kishte mbetur
gjallë pas kërdisë së diktaturës mbi hierarkinë katolike, Imzot Bernardin Shllakun,vdekur në nëntor të vitit 1956. Kjo ngjiste pak kohë pas bisedës së Mehmet
Shehut me Imzot Shllakun. Mehmet Shehu e pati thirrur Imzot Bernardinin në Kryeministri
dhe i pati bërë propozimin për emërimin e katër ipeshkvijve të rinj. Selia e Shenjtë
nuk emëroi asnjërin prej tyre, por zgjodhi, ajo vetë, dy të tjerë: Imzot Ernest Çobën,
për kryeipeshkvinë e Shkodrës dhe Imzot Pjetër Demën, për kryeipeshkvinë e Durrësit.
Më vonë, me propozimin e Imzot Çobës, Selia e Shenjtë emëroi dhe dy ipeshkvij të tjerë.
Njëri ishte Imzot Antonin Fishta, tjetri - Imzot Nikollë Troshani, shuguruar në prill
të vitit 1959, si ipeshkëv i dioqezës së Durrësit, në vend të Imzot Pjetër Demës që
kishte vdekur. Imzot Antonini u shugurua më 25. 04. 1957 ipeshkëv ordinar i Pultit
në Katedralen e Shkodrës nga Imzot Ernest Çoba. Selinë ipeshkvnore e pati përkohësisht
në Abat, ku vazhdoi të kryejë edhe detyrën e famullitarit, derisa u mbyllën kishat
e edhe ai vetë u mbyll në shtëpinë e të afërmve në Shkodër, ku edhe vdiq, për t'u
varrosur në Rrëmaj në heshtje të plotë. Mbeti në kujtesën e besimtarëve si bir
i vërtetë i Shën Françeskut. Me trup vigan, me këmbët e zbathura dimër-verë, mbathur
vetëm me sandalet e thjeshta françeskane, ai dukej sikur nuk ecte, por fluturonte.
Me atë çap u ngjitej maleve të thepisura e po me atë ecte ndërmjet bankave të shkollës,
kur jepte mësim. Kishte pamjen e fratit-malësor. U shqua jo vetëm për shërbimin
meshtarak e ipeshkvnor, që ishte misioni kryesor, por edhe si muzikant, historian,
poet. Shkroi disa shqyrtime dhe studime historike si: "Ma i pari frat në Shqypní"
(1930); "Skanderbegu e françeskajt" (1930); Emzot Luigj Çiurçija " (1931); " Doktor
Milan Sufflay ndër shkrime të veta" (1931); "Njëzet e pesë vjetori i Kongresit të
Manastirit" (1933). Interes të veçantë paraqesin edhe biografitë e shkruara prej tij
për Filip Shirokën (1935), Dom Ndre Mjedën (1937) e historianin Theodor Ippen (1935).Si
poet u bë i njohur me poemën "Fatosave", botuar më 1912; si studiues i gjuhës, me
studimin kushtuar Atë Françesk Rosit dhe shkrimeve të tij; si rrëfimtar, me portretin
"Tribuni i Traboinit , Dedë Gjo' Luli" (1937) dhe me shumë artikuj të tjerë botuar
te "Hylli i Dritës". Askush nuk ka menduar deri më sot t'i mbledhë në një këto
shkrime, të cilat nuk e kanë humbur vlerën as aktualitetin. Mbeten gjithnjë të shpërndara,
duke pritur një dorë të zellshme, që do t'ia kthejë kulturës shqiptare frytin e pendës
së Imzotit të madh, i cili e kaloi gjithë jetën me hoste e pendë në dorë mes bjeshkëve
vigane të Veriut.