2011-04-12 16:34:31

NATO-s i kërkohet të shtojë bombardimet në Libi


(12.04.2011 RV)Përpjekjet për të arritur armëpushimin në Libi janë akoma të pamjaftueshme, pas refuzimit të kryengritësve për të nënshkruar një marrëveshje me liderin libian, Muhamar Gedafi. Ky i fundit vazhdon bomardimet, sidomos në Ajxhabija. Organizata “Amnesty International” i ka quajtur vrasjet e civilëve nga forcat qeveritare “krime kundër njerëzimit”.
Ndërkaq, debati në arenën ndërkombëtar përqendrohet në rolin e NATO-s. Sot, diskutuan për këtë ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, të mbledhur në Luksemburg; nesër do të mblidhet Grupi i Kontaktit për Libinë në Doha të Katarit e; të enjten, ministrat e Paktit të Atlantikut në Berlin. Përveç rebelëve libianë, edhe qeveria franceze u kërkon forcave të NATO-s të jenë më aktive, për të penguar ushtrinë e Gedafit të përdorë armatimin e rëndë kundër popullsisë civile. Deklarata të ngjashme janë bërë edhe nga Londra, ndërsa në Romë, ministri i jashtëm u takua me kreun e Këshillit të Tranzicionit, me seli në Bengazi. Italisë iu kërkua të ndërhyjë për njohjen e kryengritësve dhe për dërgimin e ndihmave humanitare, sidomos në Misratë, ku gjendja është tejet e vështirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.