2011-04-12 16:34:41

MISNA denoncon dhunë e plaçkitje në Bregun e Fildishtë


(12.04.2011 RV)Një ditë pas arrestimit të ish-presidentit Laurent Gbagbo në Bregun e Fildishtë, zëdhënësi i tij akuzon francezët për grusht shteti, pasi forcat e tyre ndihmuan dje ushtarët e presidentit Uatarà për të hyrë në rezidencën e Gbagbos. Nga ana e saj, Franca premton se do të japë 400 milion euro për ivorianët.
Sot, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun i bëri thirrje presidentit Alasan Uatarà të shmangë gjakderdhjen, ndërsa kreu amerikan i shtetit, Barak Obama, duke e quajtur arrestimin e Gbagbos “fitore për demokracinë”, e ftoi Uatarà-në të qeverisë në emër të gjithë popullit. Ky i fundit lajmëroi se Gbagbo do të dalë para gjyqit.
Ndërkaq, burime lokale deklarojnë për agjensinë katolike MISNA se në Abigjan, dhjetra vetë janë peng në duart e të rinjve të armatosur. Mbi popullsinë e kryeqytetit ivorian po ushtrohet dhunë e po bëhen plaçkitje.







All the contents on this site are copyrighted ©.