2011-04-12 14:08:43

Andrea Rikardi: 'Jetëshkrim' i ri për Gjon Palin II


Protagonist për më se një shekull në skenën botërore: kështu e përshkruan Gjon Palin II historiani Andrea Rikardi, themelues i Bashkësisë së Shën Egjidit. “Jetëshkrimi”, shtypur nga Shtëpia Botuese e Shën Palit, tregon jetën e Papës, që i priu Kishës drejt mijëvjeçarit të ri dhe e ndryshoi historinë e njerëzimit. U shkrua duke u bazuar mbi dëshmi të drejtpërdrejta të vetë autorit si dhe mbi bazën e burimeve të panjohura e të bisedimeve private. Libri u paraqit këto ditë në Romë.

Ka ardhur koha të kalohet nga ndjenjat, në histori. Andre Rikardi e paraqet kështu librin e tij “Jetëshkrimi i Gjon Palit II”, fryt i një pune të kujdesshme shkencore dhe i bisedimeve me njerëz, që jetuan vazhdimnisht pranë Papës. Ndërmjet dëshmive, radhitur në 13 kapituj, mund të lexohen edhe ato të Benediktit XVI, të kardinalit Stanislao Dxhivish e të kardinalit Kamilo Ruini. Ish-kryetari i Konferencës ipeshkvnore italiane, pohon se gjeti, në librin e Rikardit, pikërisht Gjon Palin II, që ka njohur nga afër. Autori e quan Papën polak humanist të madh, njeri në kërkim të vazhdueshëm, revolucionar, lider shpirtëror e civil, njeri të vendosur në udhëkryqet e historisë, për t’i treguar rrugën e drejtë, protagonist të shekullit XX. Ja pse në ndjetet e atij, që e shkroi vëllimin e botuar nga paolinët, nuk është përpjekja për të shkruar një histori të Kishës, por një histori bashkëkohore, me kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Por, të dëgjojmë Andre Rikardin:

Përgjigje: - Vetëm historia mund të na ndihmojë ta kuptojmë përmasën e ndërlikuar të Vojtilës.

Pyetje: - Ju keni thënë: “Libri lindi, sepse ia kisha borxh Vojtilës". Pse?

Përgjigje: - Lindi si borxh për t’u shlyer, sepse unë e njoha kur isha 28-29 vjeç e ishte gjithnjë i afërt, i sjellshëm me mua; më priti e më foli shumë herë. Munda t’i bëj të gjitha pyetjet që desha e m’u përgjigj pa ngurrim, duke më njohur lirisht me mendimet e veta. Besoj se vura në shërbim të kësaj njohjeje laboratorin tim modest historik, sepse nuk mjafton t’i njohësh, t’i jetosh faktet, por duhet të kesh arsyetim historik, që të dish t’i lexosh.

Pyetje: - Ju besoni se ka ardhur koha të kalohet nga ndjenjat, në histori?

Përgjigje: - Po, në se nuk kalohet nga ndjenjat, në histori, bota e ndjenjave është plot me të papritura. Njeriu ecën mbi të, si mbi një truall të lëvizshëm, që mund të të shembet nën këmbë nga çasti në çast.

Pyetje: - Në librin tuaj ndeshemi edhe me konceptin e një Pape revolucionar…

Përgjigje: - Është Papë revolucionar, por jo në mënyrën e revolucionit francez, ose të revolucionit marksist, domethënë të revolucionit të dhunshëm: ai beson në revolucionin, që mund ta ndryshojë historinë.

Pyetje: - Ju keni thënë: “Po ua lë këtë tekst atyre, që do të vijnë pas nesh, si shpresë për të ardhmen". Në ç’kuptim?

Përgjigje: - Në kuptimin se ne kemi nevojë për madhështinë e papnisë së tij e për dëshminë e tij, që të ecim përpara.

Libri është përkthyer menjëherë në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, polonisht, portugalisht e kroatisht. Ka dalë në vitrinat e librarive, në 18 vende të botës. Bisedohet dhe për dhjetë përkthime të tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.