11 vjet më parë vdiste Imzot Robert Ashta, ipeshkëv i Pultit
Ishte e diela e Pashkëve të Ngjalljes, 12 prill 1998, rreth orës 3 të pasdites, kur
ndërroi jetë Imzot Robert Ashta, ndërsa kishte kremtuar një Meshë solemne në malet
e Dukagjinit e përgatitej t'i çonte Krishtin eukaristik një malësori që po jepte shpirt
në Dushman. Udhëtonte kështu, mbi mushkë, drejt cakut të fundit të jetës së vet.
Lindi
në Shkodër më 22 gusht 1918. Shkollën fillore e të mesme i kreu pranë Kuvendit të
Shën Françeskut në Gjuhadol të Shkodrës. Veshi zhgunin e fretërve të vegjël më 13
korrik 1934 në Troshan, ku kreu edhe vitin e noviciatit. Pas kushteve të përkohshme,
më 24 gusht 1935, vijoi të studionte në Shkodër. Më 23 gusht 1939 bëri kushtet e përjetshme
në famullinë françeskane të Thethit. Nga viti 1939 deri më 1941 vijoi studimet filozofike
e teologjike, të cilat i filloi në Sienë, i vijoi dhe i kreu në Motta di Levenza (Treviso).
Më
1941 mori urdhrin e diakonatit në Venedik, për t'u shuguruar më pas meshtar në Shenjtëroren
e Zojës së Mrekullive të Motto di Leven-cës. (Treviso). U kthye menjëherë në Shqipëri
dhe nisi shërbimin meshtarak në famullitë më të vështira malore të Dukagjinit e të
Mirditës: më 1944-1946 shërbeu në Curraj të Epër; më 1946-1947 në Baz-Bushkash të
Lurës. Gjatë këtyre viteve qe edhe profesor i matematikës në Liceun françeskan ‘Illyricum’.
U
detyrua ta ndërpresë shërbimin meshtarak kur regjimi komunist e thirri nga elteri
për të kryer shërbimin ushtarak. Iu desh të rrokte, me detyrim, pushkën, që deri atëherë
nuk e kishte prekur kurrë me dorë. Si kreu shërbimin, u kthye rishtas në Baz- Bushkash
të Lurës, ku shërbeu nga 1950 deri më 1955. Nga ky vit e deri më 1967, vit tragjik
kur u mbyllën të gjitha institucionet fetare, qe famullitar në Vukël e Selcë. Nga
1974 deri më 1985 punoi si punëtor krahu për ndërtimin e hidrocentralit të Vaut të
Dejës e të Komanit.
Më 1990, kur Dom Simon Jubani kremtoi Meshën e parë të
mbas salvimit komunist, imzot Robert Aashta, aso kohe françeskan, ndodhej pranë elterit
të kapelës së varrezave, gati për ta vijuar kremtimin, në se do të ndodhte ndonjë
e papritur, së cilës i druheshin të gjithë. Më 18 nëntor 1990 kremtoi Meshën e parë
publike në Bajzë. Që nga 10 janari 1992 shërbeu si famullitar në Laç, duke e zgjeruar
shërbimin edhe në Rubik, Baz-Bushkash e Lurë.
Pikërisht në këtë stinë të vonë
të jetës, kur i kishte mbushur 75 vjet, ai u thirr për detyrën e rëndësishme të ipeshkvit.
Ishte vetë Papa Gjon Pali II që, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, e shuguroi ipeshkëv
të dioqezës së Pultit. E ai, ndonëse tashmë prelat, vijoi t'i ngjitej maleve të thepisura,
herë në këmbë e herë mbi mushkë, me kryqin e madh të Ipeshkvit fshehur paksa ndër
palat e zhgunit. E pikërisht atje, në shtigjet e rrëpirëta, Krishti e thirri nga Pashkët
tokësore, në Pashkët pa mbarim të Mbretërisë qiellore. Ishte 12 prill 1998, e Diela
e Ngjalljes!I pyetur, në një intervistë dhënë Radios sonë më 1997, për qëndrimin e
Kishës në situatën e shqetësuar politike të vendit, dha një përgjigje parimore, me
vlerë për të gjitha kohërat.