Në 11 prill kalendari Kishtar përkujton Shën Stanislaun, ipeshkëv e martir.
(11.04.2011 RV)Mbreti Boleslau i Polonisë (1058-1079) kujtohet nga historia për fitoret
e bujshme ushtarake që e fuqizuan shtetin e tij të ri, duke ia zgjeruar kufijtë, në
dëm të Rusisë, për vlerësimin e tokave, të cilat i riorganizoi në mënyrë të re, për
reformat juridike dhe ekonomike. Por njëkohësisht historiani i parë polak, Vinçenc
Kadlubek, e kujton po këtë mbret si njeri të padrejtë, me një jetë tepër të shthurur
private. E ndërsa Boleslau vijonte të ecte në rrugë imorale, u ndesh me një kundërshtar
të pamposhtur. Ashtu si Shën Gjon Pagëzuesi përballë Herodit, ipeshkvi guximtar i
Krakovisë, Stanislau, e ngriti fuqimisht zërin kundër sovranit, duke e qortuar rëndë
e duke i kujtuar se duhet të respektonte jo vetëm të drejtat e vetvetes, por edhe
të të tjerëve. Stanislau kishte lindur rreth vitit 1030 në Shzepanovo, në dioqezën
e Krakovisë, nga prindër të varfër. Si kreu mësimet e para ndër etërit benediktinë
të Krakovisë, iu krijuan kushtet për t’i plotësuar në Belgjikë, në studentatin e famshëm
të Liezhit, ku edhe u diplomua. U kthye menjëherë në atdhe, ku nisi të dallohej për
zellin baritor e për veprat e mira, që i realizonte me dashuri e urti. Si vdiq
ipeshkvi i Krakovisë, Papa Aleksandri II e emëroi atë në detyrën e lartë. Përveç popullit
e klerit, emërimi i tij u prit me gëzim të madh edhe nga vetë Boleslau II, i cili
në vitet e para e përkrahu fuqimisht në veprën e ungjillëzimit të të gjithë zonës
si dhe në përpjekjen për formimin e klerit shekullar vendas, që duhet të zinte pak
nga pak vendin e murgjërve benediktinë në mbarështimin e Kishës polake. Harmonia
ndërmjet ipeshkvit e sovranit nuk zgjati shumë, sepse mbreti i ri dredhoi rrugë e
nisi të ecte në gjurmët e t’et. E Stanislau guximtar nuk ngurroi t’i kundërvihej mikut.
Kronikat e kohës tregojnë se mbreti, i dashuruar me Kristinën, aristokrate me bukuri
të rallë e bashkëshorte e Mieçislaut, e rrëmbeu atë, duke shkandulluar gjithë vendin. Ipeshkvi
sypatrembur e qortoi rëndë e pastaj edhe e mallkoi mbretin, duke ndezur flakë zemrimin
e tij. Boleslau II iu përgjigj mallkimit që iu bë para gjithë popullit duke e mbytur
imzot Stanislaun në sa çonte Meshë në Kishën e Shën Mikelit. E mbrapshtia e tij kishte
arritur deri në atë pikë, saqë e vrau me dorë të vet ipeshkvin trim. I nderuar
nga polakët që nga dita e martirizimit të tij, Stanislau u shpall shenjt më 17 gusht
1253 në bazilikën e Shën Françeskut të Asizit e, që asokohe, kulti i tij u përhap
me shpejtësi në Evropë e në Amerikë.