Më 11 prill, Kisha katolike përkujton Shën Madalenën e Kanosës
Madalena lindi në Veronë të Italisë në pallatin e famshëm të familjes së saj, më 1
mars të vitit 1774. Pati një fëmijëri të trishtueshme, plot me ngjarje të dhimbshme.
I jati i vdiq shumë shpejt, ndërsa e ëma u martua përsëri, duke i braktisur fëmijët.
Madalena, akoma e parritur, u sëmur rëndë e u shërua me shumë vështirësi. Por sëmundja
e saj qe providenciale, sepse pikërisht ndërsa lëngonte në shtrat, ndjeu thirrjen
për t’ia kushtuar Zotit gjithë ç’i kish mbetur nga jeta. Më 1796, pasi në Veronë
hynë trupat e Napoleon Bonapartit, Madalena nisi të mblidhte rreth vetes disa nga
vajzat e braktisura, të cilat i strehoi së pari në një shtëpi të përkohshme, pastaj
në shtëpinë e zonës së Shën Zenit, një nga më të varfrat e qytetit. Rreth saj u grumbulluan
nëntë shoqe e kështu lindën “Bijat e dashurisë”, që më pas u njohën me emrin e themelueses
si motrat kanosiane. Madalena vdiq në moshën 61 vjeçare më 10 prill 1835, të Premten
e Mundimeve të Krishtit. U shpall e Lume nga Papa Piu XII në vitin 1941, shenjte -
nga Gjon Pali II më 2 tetor 1988.