Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot: vdekja shpirtërore, mëkati, rrezikon
ta shkatërrojë jetën e çdo njeriu.
(11.04.2011 RV)Në lutjen e Engjëllit të Tënzot dje në Vatikan, Benedikti XVI
kujtoi se leximet biblike të kësaj jave të 5-të të krehzmëve i kushtohen të gjitha
ringjalljes: nuk flasin ende për ringjalljen e Jezusit, që do të hyjë në historinë
e shëlbimit si e re absolute, por për ringjalljen tonë, atë që e dëshirojmë aq shumë
e që na e dhuroi pikërisht Krishti, duke u ngjallur prej së vdekurish. Papa Racinger,
vetëm dy javë para Pashkëve, u ndalua tek kuptimi i krishterë i vdekjes, e cila është
si një mur, që na pengon të shikojmë përtej. E megjithatë zemra jonë – pohoi Papa
– e kapërcen murin e, ndonëse nuk mund ta njohim plotësisht atë, që na e fsheh, gjithsesi
e mendojmë, e përfytyrojmë, duke e shprehur me simbole dëshirën tonë për amshimin.
Pasi shpjegoi shkurtimisht Ungjillin e djeshëm, që fliste për ringjalljen e Lazrit,
Ati i Shenjtë kujtoi se ideja e ringjalljes personale duket vetëm aty nga fundi i
Besëlidhjes së Vjetër, e se në kohën e Jezusit kishte shumë judenj, që nuk e pranonin:
“Por edhe ndërmjet të krishterëve, besimi në ringjalljen e në jetën e amshuar,
shoqërohet shpesh me dyshime e konfuzion. E kjo, sepse është fjala për një realitet,
i cili i kapërcen kufijtë e arsyes sonë. Ky realitet mund të pranohet vetëm me arsyen
e fesë”. Dyshimeve e kufizimeve u kundërvihet një risi e vërtetë, shpjegoi
Papa, që shkatërron e kapërcen çdo pengesë: “Krishti e shemb murin e vdekjes;
në Të banon përkryerja e Hyjit, që është jetë, jetë e pasosur. Prandaj vdekja nuk
pati pushtet mbi Të, e ringjallja e Lazrit është shenjë e qartë, që na bind për sundimin
e Tij të plotë mbi vdekjen fizike, e cila, para syve të Hyjit, s’është tjetër, veçse
një sy gjum (cfr Gjon 11,11)”. Por ka edhe një vdekje
tjetër, shpjegoi Benedikti XVI, të cilën Krishti e luftoi me të gjitha forcat, duke
e paguar fitoren tepër shtrenjt, me çmimin e Kryqit: “Është vdekja shpirtërore,
mëkati, që rrezikon ta shkatërrojë jetën e çdo njeriu. E Krishti vdiq pikërisht për
të fituar mbi këtë vdekje. Ringjallja e Tij nuk është kthim në jetën e mëparshme,
por hapje e një realiteti të ri, një tokë e re; është, më në fund, mbërritje në Qiellin
e Zotit”. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i drejtoi një
përshëndetje të posaçme punëtorëve të minierës sarde të Portovesme-s, që jetojnë
në kushte të vështira pune e, në vijim, duke u folur shtegtarëve polakë, të pranishëm
në Sheshin e Shën Pjetrit, kujtoi përvjetorin e katastrofës ajrore të Smolenskut,
në Rusi, gjatë së cilës humbën jetën presidenti polak, Leh Kaçinskij dhe personalitete
të tjera të Polonisë. “Krishti, ringjallja jonë, tha Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar
shtegtarëve polakë, i pranoftë në lumninë e tij e ju ngushëlloftë në këto çaste, kur
rikujtoni një ngjarje kaq të dhimbshme”.