2011-04-11 17:32:35

Benedikti XVI, pas ndjekjes së një dokumentari kushtuar Gjon Palit II: Papa Vojtila, Apostull i madh i Krishtit.


(11.04.2011 RV)Të shtunën e kaluar Benedikti XVI ishte i pranishëm në projektimin e një dokumentari, kushtuar jetës së Papës Gjon Pali II. Dokumentari, me titull “Shtegtari i veshur me të bardha”, që u shfaq në Sallën e Koncistorit, në Vatikan, është realizuar nga regjisori polak Jaroslav Szmidt. Në përfundim të projektimit, Ati i Shenjtë e vlerësoi lart regjisorin për punën e lavdërueshme, me frymë thellësisht krijuese.

Duke kujtuar se tashmë çdo ditë e re shënon një vepër të re kushtuar Gjon Palit II, Benedikti XVI vërejti se për seriozitetin me të cilin është punuar e për cilësitë e tij artistike, filmi “Shtegtari i veshur me të bardha”, mund të konsiderohet një nga kontributet më me vlerë, që i ofrohet publikut me rastin e lumnimit të afërt të Papës Vojtila.
Ky film dallohet për shumë elemente, si për shembull, për intervistat me bashkëpunëtorët më të ngushtë, për dëshmitë e personaliteteve të shquara, për pasurinë e dokumentimit. E të gjitha këto elemente, marrë së bashku, kanë për qëllim të pasqyrojnë besnikërisht si personalitetin e Papës, ashtu edhe veprimtarinë e tij të palodhshme gjatë një papnie, që radhitet ndërmjet më të gjatave.

Duke nënvizuar dëshminë e ndritshme të Gjon Palit II, Benedikti XVI kujtoi, më pas, dy bazat kryesore të jetës e të papnisë së Karol Vojtilës: lutjen e zellin misionar.
“Gjon pali II ishte kundrues i madh e apostull i madh i Krishtit. Zoti e zgjodhi për Selinë e Shën Pjetrit dhe e ruajti për një kohë të gjatë, që ta udhëhiqte Kishën në mijëvjeçarin e tretë. Me shembullin e tij, ai na priu të gjithëve në këtë shtegtim e tani vijon të na shoqërojë nga Qielli.







All the contents on this site are copyrighted ©.