2011-04-09 16:32:13

Mbledhje e Komisionit të Vatikanit mbi situatën e Kishës katolike në Kinë


Nga data 11 deri më 13 prill do të mblidhet në Vatikan, Komisioni që Papa Benedikti XVI ka themeluar më 2007 për të studiuar çështjet me rëndësi të madhe, që kanë të bëjnë me jetën e Kishës katolike në Kinë.
Në këtë Komision bëjnë Eprorët e Dikastereve të Kuries Romake, që janë kompetent në lëndë, e disa përfaqësues të Episkopatit kinezë si dhe të kongregatave rregulltare.
Takimi i parë plenar, i zhvilluar nga 10 deri më 12 mars 2008, pati si temë, Letrën që Ati i Shenjtë Benedikti XVI i drejtoi katolikëve kinezë më 27 maj 2007. Në dy mbledhjen e mëvonshme mbajtur më 30 mars -1 prill 2009 dhe 22-24 mars 2010, janë shqyrtuar temat e formimit njerëzor, intelektual, shpirtëror e baritor për seminaristët e personat e shuguruar, si dhe atë të formimit të përhershëm të meshtarëve.
Në mbledhjen e ardhshme plenare do të shqyrtohet situata baritore e dioqezave kishtare në Kinë, me një vëmendje të veçantë ndaj sfidave që Kisha has gjatë veprimtarisë së mishërimit të Ungjillit në kushtet aktuale shoqërore e kulturore.
Kështu njoftoi sot Salla e Shtypit të Vatikanit përmes një deklarate për shtyp.







All the contents on this site are copyrighted ©.