2011-04-09 12:23:51

Ipeshkvijtë e Polonisë u drejtojnë besimtarëve një Letër baritore, kushtuar Gjon Palit II, në prag të lumnimit.


“Urojmë që i lumi Gjon Pali II të bëhet prijësi ynë shpirtëror në rrugët e lirisë, të bashkimit e të solidaritetit”. Kështu shkruajnë ipeshkvijtë polakë, duke e shprehur këtë dëshirë në Letrën baritore, shkruar me rastin e kremtimit të 1 majit, kur Papa Vojtila do të lartohet në nderimet e elterit. Prelatët – njofton agjensia Sir – shprehin bindjen se lumnimi i Gjon Palit II hap perspektiva të reja për të ardhmen, duke i nxitur të gjithë ta lexojnë në mënyrë më të vëmendshme e më krijuese trashëgiminë e tij, të shprehur me fjalët, me personalitetin, me stilin e jetës, me shërbimin, që i bëri mbarë njerëzimit. Ipeshkvijtë urojnë edhe që shembulli i Gjon Pali II të ndihmojë për të përballuar sfidat e reja, duke frymëzuar si jetën private, ashtu edhe atë shoqërore. Episkopati polak është i vetëdijshëm se dhurata e jetës dhe e shërbimit të Gjon Palit II e ka pasuruar në mënyrë të ndjeshme jetën e Kishës e të botës. Ne vetë, në vendin tonë – kujtojnë - e në pjesën tonë të Evropës, i jetuam ndryshimet epokale, të frymëzuara nga vizioni i Gjon Palit për një botë të re, parë si familje e përbashkët e popujve. Ne, që jetuam të lidhur me zinxhirë, që vuajtëm nën një sistem, i cili shtypi nën thundrën e tij të hekurt popuj të tërë, sistem totalitar e i pa Zot, e kuptojmë edhe më mirë impenjimin e Gjon Palit II për t’u kthyer lirinë e humbur popujve të një pjese të mirë të botës.
Dhurata e lumnimit, për të cilën prelatët falënderojnë Benediktin XVI, është impenjative, kërkon përgjigje. Ipeshkvijtë mendojnë se lumnimi i Papës Vojtila duhet të ndikojë fuqimisht edhe mbi jetën publike. Në Letër, episkopati shpreh shqetësimet lidhur me cilësinë dhe stilin e jetës politike në Poloni, duke vënë theksin mbi përçarjet shkandulluese ndërmjet njerëzve e partive të ndryshme të cilat, megjithatë, nuk ngurrojnë t’u kujtojnë bashkatdhetarëve, vlerat e krishtera. Vlera që e përjashtojnë plotësisht grindjen e përçarjen, vlera nga të cilat buron ftesa drejtuar mbarë njerëzve, që të bashkohen, të duhen, të kërkojnë falje e të falin.
Sipas prelatëve, sjellje të tilla, që karakterizohen nga mllefet e vazhdueshme, nga armiqësitë e rrezikshme, nga qëndrimet e njëanshme e nga mungesa e plotë e respektit për opinionet e tjetrit, çojnë në humbjen e kotë të energjive, të cilat do të ishte mirë të përdoreshin për të zgjidhur jo sherret ndërmjet personave që sundojnë e të partive, që kryesojnë, por problemet më të mprehta, që kanë të bëjnë me jetën e mbarë shoqërisë.
Ipeshkvijtë i kërkojnë botës politike t’i shmangë grindjet shterpe, duke uruar që të vënë në themel të programeve të tyre, faljen e pajtimin, për të mirën e përbashkët, e jo për atë vetjake. Por, si barinj, pohojnë se nuk e kanë ndër mend të mjaftohen vetëm me thirrje drejtuar të tjerëve, të vetëdijshëm se përçarjet shqetësuese në gjirin e shoqërisë kërkojnë nga të gjithë, edhe nga ata vetë, kthesën e madhe të zemrave. E dimë - shkruajnë ipeshkvijtë – se duhet të japim shembullin personal, se duhet ta jetojmë, atë që e predikojmë e duhet të ecim besnikërisht në gjurmët e të Lumit Gjon Pali II.







All the contents on this site are copyrighted ©.