2011-04-08 16:50:26

Selia e Shenjtë në Panairin e Librit të Santo Domingos. Në program, video-mesazhi i Papës.


(08.04.2011 RV)Selia e Shenjtë do të marrë pjesë, si e ftuar nderi, në Panairin ndërkombëtar të Librit të Santo Domingos, në program nga 4 deri më 22 maj. Benedikti XVI do të jetë, simbolikisht, i pranishëm përmes një video-mesazhi, me të cilin do të hapet Panairi. Ngjarja u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Folën, ndërmjet të tjerëve, kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës; Viktor Manuele Grimaldi Céspedes, ambasador i Republikës Dominikane pranë Selisë së Shenjtë dhe drejtori i Shtëpisë Botuese të Vatikanit, don Gjuzeppe Kosta.

Ngjarje e madhe kulturore për Amerikën Latine: Panairi i Librit i Santo Domingos, u theksua në konferencën e shtypit, organizohet me rastin e 500-vjetorit të themelimit të dioqezës së parë të Kontinentit amerikan, pikërisht në Santo Domingo. Prej këndej edhe vlerësimi kishtar i ngjarjes si dhe video-mesazhi, që do të dërgojë Papa për hapjen e Panairit. Konferenca e shtypit e nxiti kardinalin Xhanfranko Ravazi të ritheksojë rëndësinë e “Oborrit të paganëve”, pas përvojës entuziazmante të Parisit:
E zgjodha me qëllim Parisin, si emblemë të laicitetit pothuajse absolut, e atje pashë se, për shembull, dialogu është shumë më i hapur, sesa këtu, në Itali”.
Kardinali theksoi edhe se “Oborri i paganëve” do të jetojë një përvojë të re në Rumani e në Shqipëri:
“Cila është perspektiva, që kemi sot para nesh? Është problemi i një tipi të ri të ateizmit, ateizmit praktik, popullor, që quhet indiferencë, ose edhe më keq, quhet banalizim i çështjeve teorike, teologjike, shpirtërore… Prej këndej, ngulmova mbi çështjen e të rinjve”.
Kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës ripohoi se të rinjtë konsiderohen si bashkëbisedues të privilegjuar të “Oborrit të paganëve”. U ndalua, më pas, tek takimi i “blogger” në Vatikan, organizuar nga dikasteri i tij dhe nga Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore, në program për majin e ardhshëm:
“Nuk mund të rrijmë dorëjashtë nga një horizont i tillë, sepse, si mund t’i injorosh blog-ët? Sido që të jenë, “bloger” janë subjekte themelore në komunikimin e ri. Ky tip i ri nuk ndryshon vetëm komunikimin, por edhe njerëzit: mënyra e lidhjes me njëri-tjetrin është krejt tjetër, e ndryshme, në krahasim me lidhjen e atyre që, si unë, vijojnë t’i shkruajnë ende letrat me dorë”.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, kardinali Ravazi pohoi se nuk e ka parë filmin “Habemus Papam” të Nani Moretit, por se është takuar me regjisorin sapo filloi ta realizonte:
Duhet të pohoj se ishte domethënës fakti, që ai deshi të bashkëbisedojë, së paku në fillim… Pastaj as unë nuk desha ta ndiqja më tej. Në fund, në se unë do ta kisha ndjekur këtë gjë, në një farë mënyre, do të kishte pasur edhe garanci ideale zyrtare e, nga ana tjetër, liria e artistit duhet të jetë e tillë, që të mos pengohet nga gjykime të njëanshme”.
Duke u rikthyer tek tema e konferencës së shtypit, kardinali Ravazi nënvizoi se një nga projektet më ambicioze të dikasterit të kulturës, lidhur me Panairin, është botimi i një Fjalori të madh kishtaro-kulturor për Amerikën Latine. Në pavijonin e Selisë së Shenjtë pranë Panairit të Librit të Santo Domingos, shpjegoi ai, do të ketë vepra nga Muzeumet, nga Biblioteka e nga Arkivi Sekret i Vatikanit. Domethënëse edhe prania e Shtëpisë Botuese të Vatikanit, që do t’i dhurojë Santo Domingos libra me përmbajtje katolike për shkollat e Shtetit karaibik. Të pranishme, edhe Radio Vatikani, Qendra Televizive e Vatikanit dhe gazeta ‘L’Osservatore Romano”.







All the contents on this site are copyrighted ©.