Papa Gjon Pali II(lat. Ioannes Paulus PP.II), në shekull Karol Józef
Wojtyła, lindi në Vadovicë (Poloni), më 18 maj 1920; vdiq në Qytetin e Vatikanit,
më 2 prill 2005. Vojtila ishte pasardhësi i 263-të i Shën Pjetrit; Papa i 264-t i
Kishës Katolike Romake; Kryeipeshkvi i Romës; Kreu i Qytet-Shtetit të Vatikanit. I
zgjedhur papë më 16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në
historinë e Kishës. Karol Vojtila para papnisë: - Karol Wojtyla lindi
më 18 maj të vitit 1920, në Wadovicë (Poloni), rreth 50 km larg Krakovisë. Karol Vojtila,
Ati, ishte oficer; nëna, Emilia Kacazorowska, mësuese. Vëllau më i madh, Edmundi,
mjek, ndërsa motra më e vogël, Olga kishte vdekur në lindje. Karoli u pagëzua më
20 qershor 1920. - Më 13 prill 1929 i vdiq e ëma; tri vjet më vonë, edhe vllau,
Edmundi (5 dhjetor 1932). Mbeti vetëm me të jatin. - Më 1934, pasi kreu shkollën
fillore, u regjistrua në gjimnazin klasik (Marcin Wadowitza). Përveç sportit, nisi
të interesohej edhe për teatër, duke themeluar teatrin amator të Wadowices. -
Në maj të vitit 1938 mori sakramentin e Krezmimit dhe dëftesën e pjekurisë. Gjatë
verës, së bashku me të jatin, u vendos në Krakovi. Në vjeshtë u regjistrua në Universitetin
Jagiellonian të Krakovisë, ku nisi studimet në degën e gjuhës e të letërsisë polake,
pa e harruar dashurinë për teatrin. Arriti të përvetësojë 11 gjuhë të ndryshme: polonisht,
sllovakisht, rusisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, portugalisht, gjermanisht,
ukraninisht, anglisht e latinisht. U radhit, kështu, ndërmjet intelektualëve më të
njohur poliglotë të kohës. - Më 1939 filloi Lufta II Botërore. Nacistët pushtuan
Poloninë dhe e mbyllën Universitetin. Karol Wojtyla u detyrua t’i ndërpresë studimet. -
Më 1940, për të shpëtuar nga internimi në Gjermani, punoi në guroren e lidhur me fabrikën
kimike Solvay. Nisi të lexojë veprat e Shën Terezës së Avilës, përmes së cilës u njoh
me përshpirtërinë e karmelitanëve. - Më 18 shkurt 1941 i vdiq edhe i jati. -
Gjatë viteve 1942-1944 punoi në një fabrikë prodhimesh kimike. - Më 1942 hyri në
Seminarin e Madh klandestin të Krakovisë. Filloi, fshehurazi, edhe studimet në Fakultetin
teologjik të Universitetit Jagellonica, pa e ndërprerë punën në fabrikë. - Më 01.
11. 1946, ditën e Gjithë Shenjtorëve, kardinali Adam Stepan Sapieha e shuguroi meshtar,
në kapelën e tij private. - Më 02. 11. 1946, ditën e Purgatorëve, kremtoi Meshën
e parë në kriptën e shën Leonardit, në katedralen e Wavelit. - Gjatë viteve 1946-1948
vazhdoi studimet pasuniveritare në Romë, në Universitetin Papnor të Shën Tomës (Angelicum).
Shkroi punimin e doktoraturës mbi shën Gjonin e Kryqit, duke theksuar natyrën personale
të takimit të Zotit me njeriun. - Më 1947, gjatë pushimeve verore, vizitoi Francën,
Holandën e Belgjikën. - Në korrik 1948 mbrojti doktoratën dhe u kthye në Krakovi.
U emërua famullitar në fshatin Niegowicy. - Më 1949 u transferua në famullinë
e Shën Florianit, në Krakovi. Famullitari e caktoi atë shpirtëror të studentëve të
Krakovisë dhe të punjonjësve të shërbimit shëndetësor. Nisi të krijojë poezi me pseudonimin
Andrzej Jawien, të shkruajë artikuj për revistën ˝Tygodnik Powszechny˝, t’u japë mësim
katekizmi studentëve, të inskenojë pjesë teatrale, të organizojë shëtitje e shtegtime. -
Më 1951 kryeipeshkvi i Krakovisë, Eugeniusz Baziak, e liroi nga detyrat famullitare,
duke i krijuar kushtet për punë shkencore, në fushën e etikës dhe të teologjisë morale. -
Më 1953 nisi të japë leksione në disiplinën e etikës katolike, pranë Universitetit
Jagellonica. - Më 1954 vijoi punën në Lublin, në Universitetin Katolik. Drejtoi
katedrën e etikës, pranë fakultetit të filozofisë. - Më 28. 09. 1958 u emërua ipeshkëv–ndihmës
i Krakovisë e, katër vjet më pas, drejtoi dioqezën si mëkëmbës kapitullar. Vetëm 38
vjeç, ishte ipeshkvi më i ri i episkopatit polak. - Në vitin 1960 botoi librin
“Dashuria dhe përgjegjësia”. - Më 30 dhjetor 1963 Papa Pali VI e emëroi kryeipeshkëv
të Krakovisë. - Prej 1962 deri më 1965 mori pjesë në Koncilin II të Vatikanit,
ku dha ndihmesë të çmuar për hartimin e Dignitatis Humanæ dhe Gadium
et Spes, dy dokumentet historike më të rëndësishme të Koncilit. - Më 5-
15. 12. 1963 shtegtoi për herë të parë në Tokën e Shenjtë. - Më 30. 12. 1963 Papa
Pali VI e emëroi Karol Wojtylën kryeipeshkëv metropolit të Krakovisë. - Më 26.
06. 1967 u krijua kardinal i Shën Cesareo in Palatio, diakoni e lartuar në titullin
pro illa vice nga Papa Pali VI. - U kthye në Krakovi, ku nisi të dallohet
për veprimtari kundër komunizmit. Filloi të botojë në gazetën e tij dioqezane disa
libra, që ishin ndaluar nga cenzura komuniste. Ndërmjet tyre, “Hamendje mbi Jezusin”
shkruar nga Vitorio Mesori dhe “Letër e një fëmije, që s’doli kurrë në dritë”, shkruar
nga Oriana Falaçi. - Në vitin 1969 botoi librin e dytë “Njeriu e vepra”. -
Më 1970 vizitoi disa vende të Evropës. - Më 1973 mori pjesë në Kongresin Eukaristik
në Australi; vizitoi Manilën dhe Guinenë e Re. Udhëtoi në Belgjikë e në Francë. Si
u rikthye në Krakovi, bëri thirrje për mbledhjen e parë të sinodit të ipeshkvijve. -
Gjatë vitit 1974 ishte disa herë për vizitë në Romë. - Më 1975 vazhdoi punën për
përfundimin me sukses të sinodit të ipeshkvijve; mbajti një ligjëratë në Seminarin
Ndërkombëtar në Friburg dhe në Konferencën e Milanos. - Më 1976 kryesoi ushtrimet
shpirtërore të Kuries në Vatikan, në praninë e Papës Pali VI; vizitoi Shtetet e Bashkuara
të Amerikës dhe Kanadanë, mori pjesë në kongrese filozofësh në Romë dhe Gjenevë. -
Më 1977 Universiteti Johannes Gutenberg i Mainz-it i dha titullin e nderit doctor
honoris causa. Mori pjesë në disa konferenca në Romë, Milano, Paris. - Në gusht
të vitit 1978, pas vdekjes së Palit VI, ishte i pranishëm në konklavin, që përfundoi
me zgjedhjen e Patrikut të Venedikut, kardinalit Albino Luçiani, Papa Gjon Pali I.
- Në moshën 65 vjeçare, Luçiani konsiderohej si papë i ri, në krahasim me paraardhësit.
Më 28 shtator 1978, pasi papnoi vetëm 33 ditë, Gjon Pali I vdiq. Në tetor 1978 Vojtila
u rikthye në Vatikan, për të marrë pjesë në konklavin e dytë, brenda dy muajve. -
Më 16. 10. 1978, në orën 18.18 tymi i bardhë lajmëroi zgjedhjen e Papës së ri. Gjysëm
ore më vonë në lozhën e Bazilikës së shën Pjetrit u paraqit kardinali Felici, që njoftoi:
Habemus papam! Kemi Papën! Papa i ri i Kishës Katolike ishte kardinali i Krakovisë,
Karol Vojtila, që deshi të zgjidhte emrin Stanislau I, por me që ky emër nuk përfshihej
në traditën romake, u quajt Gjon Pali II. Ishte i 264-ti papë, i pari papë polak.
Pak minuta pas zgjedhjes, Papa i ri u duk në lozhë për të përshëndetur mijëra
besimtarët e mbledhur në Shesh. Në fjalimin e tij të shkurtër, u paraqit si ‘papa
i ri, i thirrur nga një vend i largët”. Me entuziazmin e tij ia fitoi menjëherë zemrën
italianëve, që e shikonin me dyshim zgjedhjen e një pape të huaj, pas kaq shekujsh.
Mbeti e famshme fraza: “Në se do të gaboj, ju do të më korrigjoni” dhe i paharrueshëm
për ata që patën fatin të ishin të pranishëm, Bekimi i tij i parë Urbi et Orbi - Romës
dhe Botës, transmetuar përmes Mondovizionit. Të nesërmen Papa i ri kremtoi Meshën
shenjte, së bashku me Kolegjin Kardinalor, në Kapelën Sikstine e më 22 tetor, nisi
solemnisht shërbimin papnor.
Papnia e Gjon Palit II - 16. 10. 1978
: Fillon papnia e Karol Vojtilës. Për herë të parë, që nga viti 1522 (Adriani VI,
i 218-ti papë, gjerman) ulet në Fronin e Shën Pjetrit një Papë me origjinë jo italiane. Papa
Polak deshi ta fillojë papninë duke nderuar dy pajtorët e Italisë: kështu, më 5 nëntor
1978 vizitoi Asizin e Shën Françeskut, ndërsa më pas, Bazilikën e Shën Marisë mbi
Minervë, për t’u gjunjëzuar tek varri i Shën Katerinës së Sienës. - Më 12 nëntor
mori në dorëzim katedrën e Shën Gjonit në Lateran, seli e ipeshkvit të Romës. -
Më 5 dhjetor nisi vizitën e parë baritore në dioqezën e tij, duke filluar me famullinë
e Shën Françesk Saverit, në lagjen Garbatela. - 25. 01. 1979 : Shtegtimi i parë
ndërkombëtar, në Republikën Domenikane, Meksikë, Bahamas. - 04. 03. 1979: Boton
Enciklikën “Redemptor Hominis” - 13. 05. 1981, Gjon Pali II plagoset rëndë nga
ekstremisti
turk Ali Agça, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në një atentat, që tronditi mbarë
botën. - 15. 09. 1982 : Pret në audiencë, në Vatikan, prijësin palestinez, Jaser
Arafat. - Në dhjetor 1983 Papa vizitoi atentatorin Ali Agça, në burgun e Romës. -
13. 04. 1986 : është Papa i parë që shkel në një sinagogë:
viziton sinagogën hebraike të Romës. - 27. 10. 1986 : Fton prijësit e të gjitha
besimeve të botës për t’u lutur së bashku në Asizi. - 01. 12. 1989 : Pret për herë
të parë sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, zotin
Mihail Gorbaçov. - 15. 07. 1992 : I nënshtrohet operacionit
për heqjen e një tumori në zorrë. Pak më vonë shfaqen simptomat
e sëmundjes së Parkinsonit. - Më 25 prill 1993 Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë.
Në Shkodër u takua edhe me Nënën Tereze. - 17. 05. 1993 : Botohet katekizmi i ri
i Kishës Katolike, i dyti pas atij të vitit 1566. - 30. 12. 1993: Nënshkruhet,
në Jeruzalem, marrëveshja themelore Izrael- Vatikan për fillimin e marrëdhënieve diplomatike. -
29. 04. 1994: Pas rrëzimit, thyerja në këmbën e djathtë. - 26. 11. 1994 Ati i Shenjtë
krijon kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin. - 09.
12. 1994: Revista amerikane Time e zgjedh "Burri më i shquar i vitit". - 15. 01.
1995: Gjatë shtegtimit apostolik në Filipine, kryeson në Manila një nga Meshët më
të mëdha në historinë e Kishës Katolike, i rrethuar nga 4 milion njerëz. - 25.
12. 1995: Për herë të parë nga fillimi i papnisë, i sëmurë nga gripi, nuk i drejton
Romës e Botës (Urbi et Orbi) mesazhin e Krishtlindjes. - 21. 01. 1998: Shtegtimi
apostolik i shumëpritur në Kubë. - 25.12.1999: Hapja e Portës së Shenjtë në Bazilikën
e Shën Pjetrit: fillimi i Vitit të madh Jubilar 2000. - 20. 03. 2000: Shtegtimi
apostolik në Izrael, Jordani dhe Palestinë. Lutja pranë Murit të Lotëve në Jeruzalem;
kremtimi i meshëve në Betlehem e në Nazaret. - 06. 05. 2001: Papa i parë në histori,
që viziton një xhami islamike: xhaminë Omajade në Damask. - 16. 10. 2003: I sëmurë
rëndë, kremton jubileun
e 25-vjetorit të Papnisë. - Më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan,
në praninë e më se 300 mijë shtegtarëve, ardhur nga e gjithë bota, Gjon Pali II
kryesoi kremtimin me ritin e lumnimit të Nënë Terezës. - 01. 02. 2005: Shtrohet
për probleme në rrugët e frymëmarrjes, në klinikën romake Gemelli. Rikthehet shpejt
në Vatikan. - 06. 02. 2005 : Papa del në dritaren e klinikës për të bekuar besimtarët
- 10. 02. 2005 : Papa del nga spitali Gemelli. Me mijëra njerëz e përshëndesin
me entuziazëm
gjatë kthimit me Papamobil
në Vatikan. - 13. 02. 2005 : Ati
i Shenjtë duket në dritaren e studios së tij, mbi Sheshin e Shën Pjetrit /a>në
Vatikan dhe bekon besimtarët. Lutjen e Engjëllit të Tënzot e lexon imzot Leonardo
Sandri. - 24. 02. 2005 : Ati i Shenjtë shtrohet përsëri në spital. I bëhet një
trakeotomi për ta ndihmuar në frymëmarrje. Vatikani shpreson se do ta ndihmojë për
ta kapërcyer sëmundjen. - 27. 02. 2005 : Papa duket për disa sekonda pas dritares
së mbyllur të klinikës. - 01. 03. 2005 : Kardinali Jozef Racinger viziton Papën
në spital. Bisedon me Gjon Palin II italisht dhe gjermanisht. - 13. 03. 2005 :
Gjon Pali II rikthehet në Vatikan, ndonëse shëndeti i tij është rënduar shumë. -
27. 03. 2005 : Ati i Shenjtë duket në dritaren e studios së tij në Sheshin e Shën
Pjetrit dhe orvatet t’u flasë besimtarëve të Dielën e Pashkëve. Por nuk mundet. Shtegtarët
e besimtarët e mbledhur në Shesh, të prekur thellë, qajnë me dënesë. - 30. 03.
2005 : Papa dëshiron përsëri t’u flasë besimtarëve. Vatikani njofton zyrtarisht se
Papa ushqehet artificialisht
me mnjë sondë në stomak. - 01. 04. 2005 : Vatikani pohon se gjendja shëndetësore
e Gjon Palit II është tepër serioze. Për shkak të një infeksioni të rrugëve urinare,
Papa pëson goditje në sistemin kardiologjik dhe helmim gjaku. I jepet Sakramenti i
Vajimit. - Me 2 prill 2005, në ora 21:37 zemra e madhe e Gjon Palit II-të pushoi
së rrahuri.