2011-04-07 17:03:08

Papa thellësisht i prekur nga tragjedia e Mesdheut, pas mbytjeve në kanalin e Sicilisë.


Rifilluan sot kërkimet për të gjetur emigrantët e mbytur gjatë natës së të martës në jug të Lampeduzës, në ujrat malteze. Janë mëse 250 vetë, por kushtet e lundrimit pengojnë punën e operatorëve, që kanë pak shpresa të gjejnë ndonjë gjallë. Ndërkaq, 53 emigrantët e shpëtuar u transferuan nga ishulli italian në Brindizi. Ngjarja ndiqet me shqetësim e dhimbje nga Papa Benedikti XVI, siç pohon, në mikrofonin tonë, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
“Tragjedia e vdekjes në det të një numri të madh emigrantësh, të cilët nga brigjet e Afrikës Veriore përpiqen të arrijnë në Evropë, i ka bërë përshtypje të thellë Atit të Shenjtë, që ndjek me dhimbje e shqetësim ngjarjet e kësaj periudhe dramatike. Ati i Shenjtë dhe krejt Kisha i kujtojnë në lutje të gjitha viktimat, e çdo kombësie e kushti, edhe gratë e fëmijët, që humbën jetën në udhëtimin e tmerrshëm për të ikur nga varfëria, nga padrejtësia apo nga dhuna, në kërkim të mbrojtjes, të mikpritjes e të kushteve më njerëzore të jetesës. Kujtojmë se ndër viktimat e këtyre tragjedive në Mesdhe, ka emigrantë eritreas katolikë, që jetonin në Libi e merrnin pjesë në jetën e bashkësisë katolike”.
Ndërkaq, në Itali, ministri i brendshëm, Roberto Maroni informoi për gjendjen Dhomën e Deputetëve, e cila mbajti një minut heshtje. Maroni lajmëroi për dhënien e lejës së përkohshme të qëndrimit për ata, që kanë mbërritur në vend, duke i kërkuar Evropës të mos e lerë Romën vetëm, në përballimin e kësaj situate. Leja e qëndrimit do t’i mundësojë emigrantët të qarkullojnë në vendet e Traktatit të Shengenit. Por Franca, vendi i parë ku emigrantët mund të shkojnë, për shkak të lidhjeve familjare, vendos rregulla më të rrepta për hyrjen në kufi. Janë pesë: lejet e qëndrimit do të zgjasin vetëm 3 muaj; emigrantët duhet të kenë pasaportën, ose një dokument të lëshuar nga një shtet i zonës Shengen; autorizimet e titujt do të pranohen vetëm nëse janë notifikuar në komisionin e Bashkimit Evropian në shtetin që i ka lëshuar; të huajt duhet të kenë burime të mjaftueshme për të jetuar e; nuk duhet të paraqesin kërcënim për rendin publik francez. Përndryshme, do të kthehen në shtetin kufitar, nga kanë hyrë.
Zemërohet don Musi Xerai, meshtar eritreas në krye të Agjensisë “Abeshia” të Bashkëpunimit për Zhvillim:
“Nëse Bashkimi Evropian do të na kishte dëgjuar, kur ne, së bashku me ipeshkvin e Tripolit, bënim thirrje për t’i shpërngulur këta njerëz me qytetarët evropianë, që iknin nga Libia, nuk do të ishim këtu duke numëruar të vdekurit e të zhdukurit. Edhe sot, ne bëjmë thirrje për një plan evakuimi, duke hapur një korridor humanitar si në Libi, ashtu edhe në Tunizi e në jug të Egjiptit. Ka rrezik që këta njerëz, duke mos gjetur mbështetje e mikpritje, t’ia besojnë veten, të dëshpëruar, govatave të detit”.
Në të njëjtat valë, edhe kryetari i Këshillit Papnor të Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët, imzot Antonio Maria Veliò:
"Para së gjithash, dua të shpreh trishtimin tim të thellë për tragjedinë e djeshme. Fatkeqësisht, njerëzit vijnë përmes detit, me barka, që shpesh janë në duart e kontrabandierëve e të trafikantëve pa skrupuj, sepse nuk kanë mundësi të përdorin mjete të tjera, pasi prej kohësh, vendet evropiane i kanë mbyllur kufijtë. Por s’mund të harrojmë solidaritetin. Vitin e kaluar, Italia ishte në vendin e 14-të, ndër shtetet e industrializuara, për mikpritjen e refugjatëve. Vendet e Ulta, me një territor e popullsi shumë të vogël, kanë pranuar dyfishin e refugjatëve të Italisë. Edhe Franca, përsa i përket refugjatëve, arrin në 13%, ndërsa Italia vetëm në 2%. Gjendja e tanishme duket dramatike, por nuk duhet të kalojmë në ekstrem. Me norma të caktuara, vendi i ka mundësitë për t’u dhënë mikpritje emigrantëve. Nuk është një fenomen, që mund të ndalet.
Do të dëshironim që Evropa, e jo vetëm Italia, ta merrte më për zemër këtë gjendje e të studionte një zgjidhje, që nuk mund të jetë thjesht miratimi i ligjeve ndëshkuese. Duhet edhe të mendojmë e të shqetësohemi pak për këtë problem edhe ne popujt e industrializuar. Mbërritja e të tjerëve mund të mos na pëlqejë, por ky egoizëm nuk është i krishterë".







All the contents on this site are copyrighted ©.