Tragjedi në det pranë Lampeduzës. 250 të zhdukur, vetëm 48 gjallë
Mbërritën në ishullin italian të Lampeduzës, 48 emigrantët, që shpëtuan nga mbytja
e anijes me të cilën udhëtonin. Rreth 250 vetë konsiderohen të zhdukur e trupat pa
jetë të 20 të tjerëve janë gjetur në ujrat malteze. Në Strasburg, Parlamenti evropian
mbajti një minut heshtje. Anija me emigrantë ishte nisur tri ditë më parë nga
Libia. Burra, gra e fëmijë – shumica somalezë, eritreas, nigerianë e ivorianë – panë
vdekjen me sy, për shkak të detit tepër të trazuar nga era e fortë. Me një telefon
satelitar u kërkuan ndihmë autoriteteve malteze, të cilat njoftuan Rojen Detare italiane.
U nisën dy motovedeta dhe një helikopter, por kushtet e këqia në det i penguan edhe
ata. Vazhdojnë kërkimet, por tashmë, shpresa që ndokush të gjendet i gjallë është
shumë e vogël. Malta ka marrë përsipër të nxjerrë në breg viktimat. Ndërkaq,
emigrantë të tjerë transferohen nga Lampeduza për t’u bërë vend të sapoardhurve. Gjatë
natës, kanë mbërritur 354 tunizianë, eritreas, somalezë dhe etiopianë. E ndërsa Bashkimi
Evropian punon për një plan operativ “të veçantë” ndërmjet Evropës dhe Tunizisë, që
të përballojë emergjencën e emigracionit, dje, Roma dhe Tunisi arritën marrëveshjen
e bashkëpunimit për bllokimin e nisjeve nga brigjet afrikane dhe per kthimin në atdhe
të emigrantëve pa leje qëndrimi. Në Itali, do t’u jepet leja 6-mujore e qëndrimit
të përkohshëm, 20 mijë tunizianëve, të cilët kanë mbërritur në vend, që nga fillimi
i vitit. Të dëgjojmë zëdhënësen italiane të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët,
Laura Boldrini: Kjo është ditë zie, pasi duket se kanë vdekur mëse 200
vetë, në përpjekjen për të ikur nga Libia e për të gjetur një vend më të sigurtë.
Të mbijetuarit arritën në Lampeduzë me tmerr në sy, tejet të tronditur. Dikush prej
tyre ka humbur fëmijën, një tjetër vëllain… Sipas dëshmive të para, në anije ishin
edhe 30 gra, por në breg kanë mbërritur vetëm tetë, njëra prej të cilave shtatzënë. Tani,
të gjithë thonë se kjo tragjedi mund të shmangej. Vetëm fjalë, në vend të koordinimit
e të ndihmës në brigjet nga nisen! Sipas jush a mund të jetë kjo rrugëzgjidhja? Do
të ishte gjëja më e mirë për t’u bërë: t’u jepnim mundësinë këtyre njerëzve të zhvendoseshin
diku tjetër, pa rrezikuar jetën në det. Por, për këtë, është e nevojshme gatishmëria
e të gjitha shteteve, të cilat duhet t’u hapin rrugën personave, në kurth në Libi,
për të shpëtuar ligjërisht.