2011-04-06 17:42:24

Paul Bhati takohet me Papën: dashuria e falja fitojnë mbi urrejtjen.


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa përshëndeti Paul Bhati-n; ipeshkvin e Faisalabadit, në Pakistan, imzot Joseph Coutts dhe Sejed Muhamad Abdyl Kabir Azad, Imam i madh i xhamisë së Badshahit, në Lahore. Paul Bhati, vëlla i Shahbazit, ministrit të pakicave fetare pakistaneze, vrarë një muaj më parë nga ekstremistët islamikë, është përfaqësues aktual për pakicat fetare. Dje, gjatë një takimi, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, pohoi se i ka falur vrasësit e të vëllait. E intervistuam:

Përgjigje: - Vëllai ynë, Shahbaz, ishte i krishterë e i krishteri i fton të gjithë të falin. Në këtë rast, ne, familja jonë, vendosëm të falim. Njëkohësisht, kuptohet, dëshirojmë të dimë kush e vrau, cilët janë autorët e këtij krimi.

Pyetje: - Ju thatë se vëllai juaj i madh disa herë kishte bërë çmos t’ju mbronte. E megjithatë, zutë vendin e tij?!

Përgjigje: - Kur e këshilloja, e shikoja tim vëlla me dashuri vëllazërore e nuk arrija ta kuptoja plotësisht ç’vepër kishte marrë përsipër, ç’përgjegjësi i rëndonte mbi supe. Tani, duke kryer detyrën e tij e duke parë se njerëzit kanë nevojë për prijës, duke parë njerëzit e përjashtuar nga radhët e shoqërisë, e ndjej se duhet ta vijoj këtë udhë, sado e rrezikshme të jetë.

Pyetje: - A kini frikë se mund t’ju cënojnë edhe ju...

Përgjigje: - Mendoj se frika nuk mungon, sepse njerëzit, ka shumë mundësi, vijojnë të arsyetojnë me logjikën e urrejtjes, të terrorizmit. E ndoshta vijojnë ta urrejnë familjen tonë, gjë që nuk i përjashton pasojat e rrezikshme.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për pikën nevralgjike të ligjit mbi blasfeminë dhe mundësinë për ta shpjeguar?

Përgjigje: - Po, besoj në interpretimin e tij. Ky ligj u hartua nga anglezët, kur ishin ende në Indi. Veç duhet ditur se kohët e fundit u shfrytëzua apo u interpretua subjektivisht, sipas interesave e për qëllime personale: Asia Bibit, duke qenë grua e një shtrese shoqëroro–kulturore shumë e ulët, shumë e varfër, as që mund t’i shkone në mend të tallej me Muhametin. Është e qartë se u krijua situata e përshtatshme, vetëm e vetëm për ta dënuar, sepse ndoshta kishte njerëz që donin të hakmerreshin kundër saj, kush e di se pse.

Pyetje: - Cilat janë sfidat e para që duhet të përballoni?

Përgjigje: - E para është ajo e diskriminimit fetar. E, për fat të keq, po vijon të rritet dita-ditës. Jo pse besimtarët nuk mund të bashkëjetojnë në paqe, por sepse është krijuar një fushatë urrejtjeje nga një bazë terroristike, që vijon ta përdorë fenë për qëllime, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me të. Ne duhet ta luftojmë pikërisht këtë urrejtje. Në se nuk arrijmë ta bëjmë këtë, do të kemi përsëri viktima. Nuk është fjala vetëm për tim vëlla: në Pakistan shpërthejnë për ditë bomba e ditë për ditë varrosim ndonjë të vrarë. Kjo është sfida e parë.

Pyetje: - Ju e falënderuat bashkësinë ndërkombëtare dhe Benediktin XVI për mbështetjen, që ju dhanë pas vdekjes së vëllait tuaj. Po vendi juaj, a besoni se nuk do t’jua kursejë mbështetjen?

Përgjigje: - Po, natyrisht. Mbështetja e qeverisë aktuale nuk më mungon. Fakti që më propozuan të vijoj veprën e vëllait tim, dëshmon gatishmërinë e qeveritarëve, duke pasur parasysh se këtij vendi, të cilin e zë tani, ia kishin vënë syrin shumë të tjerë. Por qeveria pakistaneze, duke dashur të vijojë luftën për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, na e dha neve këtë detyrë dhe deklaroi se na mbështet plotësish për gjithçka mund të bëjmë, që të mos ketë kurrë më ngjarje të tilla.

Pyetje: - Një kujtim personal për vëllain tuaj të madh?

Përgjigje: - Kam kujtime të mrekullueshme për të. Por edhe prindërit tanë kanë kujtime të bukura, si bir shumë i dashur. Ishte njeri i jashtëzakonshëm. Nuk e pashë kurrë të zemëruar. Në se zemërohej sadopak me ndokënd, ishte i pari që kërkonte paqe. Deri sa qe gjallë, kur ishte ai, në shtëpi kishte paqë, qetësi. Na bënte të lumtur prania e tij. E kjo, natyrisht tani na mungon!

Ipeshkvi i Faisalabadit, imzot Jozef Coutts, që kremtoi Meshën e dritës së Shahbaz Bhatit, e njihte shumë mirë, sepse ishte besimtar i dioqezës së tij. E sot, duke folur për flijimin e tij, e krahasoi me Mahatma Gandin, me Martin Luter Kingun e me imzot Romeron:

Përgjigje: - E kujtoj Shahbazin si një të ri tejet të sinqertë, jo si politikan. U bë ministër i qeverisë federale, por vijoi të mbetej krejt i përvujtë, ndonëse e kishte vetëdijen e përgjegjësisë. Mendimi i tij kryesor ishte: “Unë ç’mund të bëj?”. E kjo, sepse ishte njeri tepër pozitiv, i sinqertë.

Pyetje: - A mendoni se duke vrarë atë, në një farë mënyre u vranë edhe shpresat e të krishterëve në Pakistan?

Përgjigje: - Bhati ishte katolik i bindur, por edhe ministër i të gjitha pakicave fetare. Vdekja e tij ishte goditje për të gjithë Pakistanin.

Pyetje: - Cilat janë sfidat kryesore aktuale, që duhet të përballojë vendi juaj, duke pasur parasysh edhe ligjin mbi basfeminë?

Përgjigje: - Problemet janë të shumta. Qeveria jonë është koalicion, nuk ka opozitë të fortë, e ekstremistët përfitojnë nga një situatë e tillë. Bëhen më të fuqishëm. Janë të armatosur mirë, dinë të merren me terrorizëm e nuk është e lehtë ta kontrollosh gjithë situatën.










All the contents on this site are copyrighted ©.