2011-04-06 14:52:40

Mesazhi i Papës për 80 vjetorin e Veprimit Katolik të Argjentinës: laikët ta shndërrojnë botën me Ungjill


Me rastin e 80 vjetorit të Veprimit Katolik të Argjentinës, Papa Benedikti XVI ka dërguar një Mesazh, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Bertone, në të cilin shpreh mirënjohjen personale ndaj Zotit “për këto vite të dendura e për punën e dobishme të ungjillëzimit e të shenjtërimit”.
Në mesazhin drejtuar asistentit të përgjithshëm të shoqatës kishtare “Veprimi Katolik”, ipeshkvit të Konkordias, imzot Luis Armando Collazuol, Papa kujton rolin e laikëve në “shenjtërimin e Kishës e të botës përmes shndërrimit të realitetit bashkëkohor sipas vlerave të mbretërisë së Zotit”.
Duke cituar dokumentin e Aparecidas, Ati i Shenjtë nënvizon se për zhvillimin e misionin ungjillor më përgjegjshmëri e besnikëri, “besimtarët laikë kanë nevojë për një formim me baza të forta doktrinore, baritore, shpirtërore e për një mbështetje e përcjellje të përshtatshme” nga kleri”.
Benedikti Xvi kërkon një përforcim të angazhimit formues, në mënyrë që sipas shembullit të Krishtit, e në bashkëpunim të ngushtë me ipeshkvijtë, anëtarët e Veprimit Katolik ta çojnë “tharmin e Ungjillit në të gjitha zemrat e në të gjitha fushat e shoqërisë, të botës punëtore, të politikës, të kulturës e nëpër familje”. Me rastin e 80 vjetorit, Veprimi Katolik argjentinas ka promovuar disa projekte, ndër të cilët spikat fushata e luftimit të varfërisë me temën: “Varfëria bënë keq. Të ndërtojmë një komb pa të mënjanuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.