2011-04-06 17:17:30

Kryengritësit libianë kritikojnë NATO-n, ndërsa qarkullojnë fotografitë e rebelëve të torturuar


Në Libi, kryengritësit denoncojnë ngadalësinë e operacioneve ushtarake të NATO-s dhe kërkojnë sërish mbështetjen e koalicionit ndërkombëtar në Misratë, ku u duhet të përballojnë bombardimet e forcave të Gedafit. Nga ana e tij, Pakti i Atlantikut justifikohet duke thënë se bombardimet janë bërë më të vështira, për shkak të përdorimit të mburojave njerëzore dhe të kamuflimit të mjeteve nga ana e kolonelit libian. Muhamar Gedafi i dërgoi një mesazh presidentit amerikan Barak Obama, pas deklaratës së tij për tërheqjen e avionëve luftarakë nga Libia.
Ndërkaq, në vend zbulohen fotografi, që dëshmojnë dhunë e tortura kundër rebelëve. Sipas burimeve lokale, Gedafi është gati të dialogojë me kryengritësit, me kusht që këta të dorëzojnë armët. UNICEF-i shpreh shqetësim për ndikimin, që mund të kenë ndeshjet me armë mbi fëmijët dhe vë në dukje se 440 mijë vetë janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit.
Në këtë situatë, bashkësia katolike libiane i qëndron pranë popullsisë e lutet për paqen, siç nënvizon në mikrofonin tonë, vikari apostolik i Tripolit, imzot Gjovani Inoçenco Martineli:
Falë Zotit, Kisha është akoma aktive dhe e pranishme. Është prani në lutje e, përmes lutjes, përpiqemi të rrisim shpresën për këtë vend. Një shtet, që domosdoshmërisht, duhet të arrijë paqen. Nuk kemi shumë besim tek bombat, por kemi besim tek fuqia e Zotit për t’i kthyer zemrat, veçanërisht në këtë periudhë Krezhmësh.
Lutje e vullnet i hekurt për të qëndruar në Libi, a s’është kështu?
Sigurisht. Nuk mund ta shmangim dëshirën për të qenë një gjë e vetme me miqtë tanë libianë, sidomos me lutje e me shërbime, duke e jetuar me ta këtë çast sprove. E dimë mirë se ç’po bëhet për të arritur paqen. Uroj që të gjendet mënyra më e drejtë për të respektuar realitetin e Libisë, traditën e saj. Uroj të mos ndahet ky vend, por të qëndrojë i bashkuar për të vazhduar rrugën e tij në histori. Një histori, që ka të bëjë me Mesdheun dhe me impenjimin e Libisë si “urë” ndërmjet Afrikës dhe Evropës.







All the contents on this site are copyrighted ©.