2011-04-05 15:52:36

Përshpirtëria popullore në qendër të Plenares së Komisionit Papnor për Amerikën Latine.


Komisioni Papnor për Amerikën Latine, filloi sot në Vatikan, punimet e mbledhjes së përvitshme plenare që do të zhvillohen deri më 8 prill, mbi temën: “Ndikimi i përshpirtërisë popullore në procesin e ungjillëzimit të Amerikës Latine”. Takimi i nivelit të lartë u hap sot me Meshën kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, nga kardinali Mark Ojé, president i Komisionit. Të premten e ardhshme pjesëmarrësit do të priten në audiencë nga Papa Benedikti XVI.
Synimi kryesor i këtij takimi është reflektimi mbi domethënien dhe peshën që përshpirtëria popullore ka pasur gjatë pesë shekujve të Krishterimit në Amerikën Latine, dhe përpilimi i udhëzimeve baritore në këtë fushë, që do të ndihmojë në ruajtjen dhe pastrimin e devocionit kolektiv në kontekstin e Misionit Kontinental që është në zhvillim e sipër në të gjitha dioqezat. Përshpirtëria apo devocioni popullor konsiderohet si pjesë përbërëse me vlerë të jashtëzakonshme në procesin e ungjillëzimit të ri nè Amerikën Latine.
Ndër synimet e veçanta, Asambleja plenare, ka edhe paraqitjen e praktikimit të përshpirtërisë popullore në Amerikën latine, shqyrtimin e devijimeve që janë paraqitur gjatë kohës, trajtimin e shprehjes së religjiozitetit popullor si pengesë e ungjillëzimit, përpunimin udhëzimeve baritore konkrete, në mënyrë që përshpirtëria popullore – që nga Benedikti XVI konsiderohet si thesar i çmueshëm i Amerikës Latine – ti përforcon të Pagëzuarit në fenë e tyre e në përkatësinë e tyre në Kishën katolike, dhe t’i udhëheq ata drejt një jete të gjallë e vërtet sakramentale. Në takim, marrin pjesë afër 40 pjesëmarrës mes anëtarëve e këshilltarëve të Komisionit Papnor, ipeshkvij të ftuar e përgjegjës të dikastereve të Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.