2011-04-05 11:12:31

Papa Racinger: t’ua çojmë Krishtin atyre, që nuk e njohin!


“Të lutemi, që misionarët, me kumtimin e Ungjillit dhe me dëshminë e jetës, t’ua çojnë Krishtin atyre, që nuk e njohin ende”: ky është ndjeti misionar i lutjes së Benediktit XVI për muajin prill. Në shumë raste Papa u ka kujtuar besimtarëve, se gjithë të pagëzuarit janë të thirrur ta kumtojnë Ungjillin, posaçërisht në një botë, ku shumica e njerëzve nuk e kanë takuar ende Krishtin.
Prej këndej thirrja “Misioni u përket gjithë të krishterëve!”.
“Mbetet akoma urgjent dhe i nevojshëm misioni për ungjillëzimin e njerëzimit”: pati kujtuar Benedikti XVI, më 17 maj 2008, duke pritur pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Veprave Papnore Misionare, që vijonte punimet në Romë.RealAudioMP3
“Fjalët e Jezusit: ‘Shkoni, prandaj, e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar” (Mt 28, 19-20), përbëjnë akoma një mandat të detyrueshëm për të gjithë Kishën e për çdo njeri që beson në Krishtin. Ky impenjim apostolik është detyrë dhe e drejtë nga e cila nuk mund të hiqet dorë”.
Papa e fton çdo Kishë vendase të bashkëpunojë me Kishat e tjera në frontin e misionit, duke nënvizuar me forcë se 2000 vjet pas lindjes së Krishtit, shumica e njerëzimit pret akoma kumtimin e Ungjillit:
“Misioni është detyrë, së cilës duhet t’i përgjigjemi: “I mjeri unë në se nuk ungjillëzoj’ (Kor 9, 16). Shën Pali Apostull, të cilit Kisha i kushton një vit të posaçëm, në përkujtim të dymijëvjetorit të lindjes, e kuptoi, në rrugën e Damaskut e më pas e provoi gjatë shërbimit të tij të mëvonshëm, se shëlbimi e misioni janë vepra dashurie”( Fjalim Veprave Papnore Misionare, 17 maj 2008).
Të gjithë duhet ta kenë të qartë: “Kush predikon Ungjillin, merr pjesë në dashurinë e Krishtit!”. Këtë na kujton Apostulli i Popujve. Në shërbim të Ungjillit ‘njëzet e katër orë mbi njëzet e katër’. Guximtar deri në vetëmohim, ai duroi – në emër e për dashuri të Jezusit - rrahje, burgime, mbytje në det, lodhje, udhëtime rraskapitëse. Pali i Tarsit – na kujton Papa - e dinte mirëfilli se fjala ‘apostull’ në greqisht do të thotë ‘i dërguar’, ambasador i dërguar nga dikush, për të cilin duhet të shkrish pa kursim vetveten. E duke qenë ky ‘Dikush’ vetë Krishti, që e pati rrëmbyer tek Portat e Damaskut, Pali e di po aq mirë – dhe e vë shumë herë në dukje në Letrat e tij – se ishte një thirrje e mirëfilltë shpirtërore që të bëhej apostull, e jo një akt që varej nga vullneti njerëzor:
“Si përfundim, mund të themi se apostullimin e krijon Zoti, jo hamendja vetjake. Apostull nuk bëhesh vetvetiu; është Zoti ai që të bën të tillë; prandaj apostullimi ka nevojë për lidhje të përhershme me Zotin. Jo më kot Pali thotë se është ‘i thirrur për të qenë apostull’, dmth jo nga ana e njerëzve, as nga ana e një njeriu, por nga ana e Jezu Krishtit dhe e Hyjit Atë”(Audienca e përgjithshme, 10 shtator 2008).
Në 80- vjetorin e Ditës misionare botërore, themeluar nga Piu XI, që i dha një shtytje të jashtzakonshme misionit në gjirin e popujve, Benedikti XVI, para se të kremtonte Lutjen mariane të së dielës, 10 shtator 2008, i ftoi besimtarët të reflektojnë mbi detyrën që ka çdo i pagëzuar për ta kumtuar Ungjillin me gëzim e guxim, sepse ky është edhe kuptimi i krishterë i kumtimit:
Në të vërtetë, misioni, në se nuk frymëzohet nga dashuria, kufizohet në veprimtari filantropike e shoqërore. Ndërsa për të krishterët vlejnë fjalët e Shën Palit Apostull: “Dashuria e Krishtit na shtyn”. Çdo i pagëzuar, ashtu si shërmendi i lidhur me hardhinë, mund të bashkëpunojë në misionin e Krishtit, i cili përmblidhet kështu: “T’i çojë çdo njeriu lajmin e mirë se ‘Zoti është dashuri’ e se pikërisht për këtë dëshiron ta shpëtojë botën” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 22 tetor 2006).
Jemi të gjithë misionarë, shton Papa, duke kujtuar se misioni ‘nis përherë prej një zemre të shndërruar nga dashuria e Zotit’ dhe është i realizueshëm në çdo vend e në çdo kohë. “Misioni, pra, është një kantier, në të cilin ka vend për të gjithë: për atë që impenjohet ta realizojë në familjen e vet Mbretërinë e Zotit; për atë që e jeton me shpirt të krishterë veprimtarinë profesionale; për atë që i kushtohet plotësisht Zotit; për atë që ndjek, Bariun e Mirë, Jezusin, i cili i prin popullit të Hyjit; e posaçërisht për atë, që niset për t’ua kumtuar Krishtin njerëzve që nuk e njohin ende” (Lutja e Engjëllit të Tënzot 22 tetor 2006).







All the contents on this site are copyrighted ©.