2011-04-05 17:29:20

Në Libi, bombardimet e NATO-s frenojnë Gedafin


(05.04.2011 RV)Në Libi, vazhdojnë luftimet ndërmjet forcave të Gedafit dhe kryengritësve, ndërsa përpjekjet diplomatike për arritjen e armëpushimit nuk po japin ndonjë rezultat. Vija e frontit është ndalur në qytetin e Bregës, ku vijojnë edhe bombardimet e NATO-s. Pakti i Atlantikut deklaroi sot se ka shkatërruar 30% të armatimeve të kolonelit libian. Ndërsa, në Misratë, regjimi ka përdorur mburoja njerëzore.
Ndërkaq, bisedimet politike mbi Libinë nuk kanë dhënë rezultate, pasi nuk ekziston asnjë marrëveshje mbi të ardhmen e Gedafit, i cili dje foli përmes televizionit shtetëror, pas ditësh, që nuk dukej. Gjatë natës, zëdhënësi i qeverisë së Tripolit deklaroi se regjimi është gati për zgjedhje të reja dhe për reformimin e sistemit politik, por koloneli duhet të qëndrojë në vend.
Këshilli Kombëtar i tranzicionit filloi sot shitjen e naftës jashtë shtetit, nga zonat, që nuk janë më në duart e Gedafit. Katari ka pranuar të tregtojë naftën e puseve lindore të Libisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.