2011-04-05 11:13:14

Lidhja e ngushtë, e posaçme, e Gjon Palit II me të rinjtë, në kujtimet e imzot Mauro Parmexhanit


Të dielën e kaluar në mbarë botën e, posaçërisht, në Poloni e në Romë, u mbajtën një sërë kremtimesh, për të kujtuar gjashtëvjetorin e vdekjes së Gjon Palit II, në pritje të ditës së Lumnimit, më 1 maj. Mijëra të rinj patën fatin ta takojnë nga afër, takim që u la mbresa të paharrueshme, me ndikim mbi gjithë jetën e tyre. Ndërmjet atyre, që e kujtojnë sot me dashuri të madhe, e në lidhje me të rinjtë, është edhe imzot Mauro Parmexhani, ipeshkëv i Tivolit, që pati fatin ta njohë nga afër Gjon Palin II, kur kryente detyrën e drejtorit të veprimtarisë baritore me të rinjtë në dioqezën e Romës. E intervistuam:RealAudioMP3

Përgjigje: - Kujtoj kohën kur isha i ri, 17 vjeçar, e mendoja të hyja në seminar. Studioja për gjeometër e isha duke bërë një plan të vogël për ditën pas shkollës; po bëja edhe detyrat, kur në ekranin e televizorit pashë Karol Vojtilën, që më bëri përshtypje të thellë. Më tërhoqi sapo nisi të flasë, duke iu drejtuar popullit, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. U bëra meshtar e, më 1985, erdha në Romë, si sekretar i imzot Ruinit, asokohe sekretar i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore italiane. Gjatë punës sime, nisa të interesohesha edhe për Ditët e Rinisë. Më 1991 imzot Ruini u krijua kardinal mëkëmbës i Papës e unë e ndoqa pas në vikariat. Pikërisht atje u takova me Gjon Palin II. Në festën e Zojës së Besimit, në Seminarin Romak, sekretari i tij, sot kardinali Dxhivish, më kujtoi: “Këtu duhet bërë diçka për të rinjtë e Romës”. Më më çoi, pastaj, te Papa e më tha: “Ai do të të tregojë ç’duhet të bësh”. E që atëherë nisën ato, që u bënë më pas Ditët dioqezane të Rinisë, të cilat filluan të kremtohen të enjten para së Dielës së Larit. Gjon Pali II deshi që, në këto Ditë, të takohej me të rinjtë dioqezës së tij, Romës. Pastaj, me të rinjtë e mbarë botës!

Pyetje:- Cilat janë kujtimet më të veçanta e më të paharrueshme…

Përgjigje: - Gjëja, që më preku më shumë, ishte se para çdo takimi, Papa, së bashku me kardinalin mëkëmbës, më thërriste dhe mua, së bashku me imzot Frizinën e imzot Leucin, të cilët i përgatisnin së bashku këto takime. Na pyeste për programin, na pyeste për pikësynimet, kërkonte e jepte këshilla të rëndësishme. E kujtoj gjithnjë shprehjen e tij, këmbënguljen e tij: “Të rinjtë duhet të ungjillëzojnë të rinjtë!”. Ky ishte refreni, sa herë fliste për ungjillëzimin e të rinjve.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për lidhjen ndërmjet Gjon Palit II e të rinjve?

Përgjigje: - Ishte lidhje personale. Ai përpiqej të hynte në dialog me ta. Kur u fliste, dëshironte që çdo fjalë të hynte në zemrën e secilit prej tyre. U fliste zemrave. Ishte antikonformist e, si çdo njeri i shenjtë, përplot me optimizëm. Prej këndej, nuk e besonte kurrë se të rinjtë janë vetëm negativë, janë të paaftë për ta konceptuar të bukurën, të drejtën, të mirën, Fjalën e Zotit. Për të askush nuk ishte një, ndërmjet turmës, përkundrazi, ishte njeri, të cilit i duhej kushtuar vëmendje personale, të cilit i duhej dhënë përgjigje, sado e shkurtër dhe e thjeshtë. Duhej krijuar lidhje e menjëhershme me çdo të ri, që takohej me Papën. Këtë të rinjtë e kuptuan shumë mirë, e kuptuan menjëherë.

Pyetje: - Nga Papa i të rinjve - tek i Lumi i të rinjve…
Përgjigje: - Më parë e ndjenin – të rinjtë – si Papë që ishte pranë tyre, që i kuptonte, u jepte siguri në rrugët, që zgjidhnin, i siguronte se Zoti është gjithnjë pranë tyre. Tani, që do të bëhet i Lum, besoj se të rinjtë e ndjejnë edhe më pranë, edhe të rinjtë e largët, të cilët e panë dhe e dëgjuan duke folur. E kujtoj ende atë mbrëmje, e fundmja e jetës së tij. Natyrisht atë natë u ktheva në shtëpi tepër vonë. Gjeta para dere disa të rinj, fytyra të panjohura, që nuk i kisha takuar kurrë. Si më panë të veshur klerik, më pyetën menjëherë: - A është e vërtertë se Papa vdiq? - Po – u përgjigja – për fat të keq! Sytë e tyre u mbushën me lot. Heshtën një çast, e pastaj vijuan të më pyesnin: “Po ju, e njihnit, e dinit kush ishte?” Nuk e dinin kush isha unë e, si u tregova, nuk donin të më lëshonin. Unë besoj se të rinjtë, duke dëgjuar të flitet për këtë dëshmitar të dashurisë, të besimit ndaj tyre, edhe sot mund ta ndjejnë Gjon Palin II fare pranë!







All the contents on this site are copyrighted ©.