2011-04-05 11:53:13

Kopja e Sindonës së Shenjtë në Shkodër


Në Katedralen e Shkodrës, nga viti 2000, në kapelën e Shenjtërueshmit Sakrament gjendet një kopje e origjinalit të Sindonës të Shenjtë: është dhuratë e arqipeshkvit të Torinos Kardinalit Poletto, gjatë vitit jubilar. Në fillimin e vitit arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra e ftoi don Giuseppe Ghiberti me Sekretarinë e Sindonës për prezantimin e studimeve mbi këtë reliket ë shenjtë, Sindonën. Don Ghiberti pranoi ftesën dhe në datat 22-25 mars 2011 ka qenë në Shkodër me grupin e tij.
Sindoni (Çarçaf) i shenjtë është një pëlhurë lini e ruajtur në Katedralen e Torinos (Itali). Ky Çarçaf apo pëlhurë është ai në të cilin e mbeshtollën Juzusin kur e ulën nga Kryqi dhe e vendosën në varr të ri.
Programi i vizitës së Sekretarisë së Sindoit parashikonte takimet me nxënësit e shkollave katolike dhe me besimtarët në Sallën Kardinal Mikel Koliqi dhe në Katedrale të Shkodrës. Qe një përvojë e përjetim i fortë shpirtëror.

PAK HISTORI MBI ETAPAT E RRUGËS SË SINDONIT
Historia më e lashtë e Sindonit është e lidhur me një fakt të errët: data e origjinës së tij. Raporti i analizës së C 14 i pranishëm në Kohën sindonike i shpallur më 13 tetor 1988 e daton mes viteve 1260 dhe 1390: nëse ai është i besueshëm, historia e Sindonit përputhet me periudhën e tij europiane të njohur; përndryshe duhet shkuar më prapa.
Në vitin 1353 në Lirey, në dioqezën e Troyes në Francë, po përfundonte një Kishë, që ishte ndërtuar në nder të Lajmërimit të Marisë prej zotërisë së vendit, Geoffroy de Charny, i cili vendosi aty Sindonin, duke ua besuar kanonikëve të kishës (për këtë paragraf krh. Zakoni 1997). Sindoni u bë menjëherë objekt nderimi, me një vërshim të madh të popullit. Kjo gjë nuk qe pa polemika, të cilat vazhduan për dhjetëra vjet, duke përfshirë botën e autoriteteve, prej ipeshkvit Pierre d'Arcy deri te mbreti Karli VI dhe tek antipapa Klementi VII. Duke filluar me akuzën e relikes së rremë, përfunduan me pohimin e lejes për paraqitje, megjithëse me maturi. Që atëherë është e mundur të ndiqen pa ndërprerje ngjarjet e asaj pëlhure: në vitin 1418 u tërhoq prej kishës së Lirey nga Charny e fundit, gruaja e Humbert de La Roche, Margerita, që në vitin 1453 ia dha Ludovikut të Savoiave. Savoiat e ruajtën me kujdes dhe e morën me vete në zhvendosjet e tyre, deri sa në vitin 1502 e vendosën në kapelën e pallatit të tyre dukal në Chambéry, ku në vitin 1506 pati prej Papës Xhulio II një liturgji të vetën (festa e 4 majit) dhe ku pësoi djegien shkatërrimtare të 4 dhjetorit 1532 (me riparimet e klariseve të Chambéry në vitin 1534). Në vitin 1578 Emanuel Filiberti e transferoi në Torino, kryeqendrën e re të dukatit të tij, dhe në vitin 1694 u vendos në Kapelën e Guarinive, e ndërtuar në vijën ndarëse të Duomos dhe të pallatit mbretëror të Torinos. Ndoqi përsëri familjen mbretërore në Liguria në vitin 1706 dhe u largua për herë të fundit prej qytetit mes viteve 1939 dhe 1946, duke u mirëpritur prej murgjërve të Montevergjines, në Kampania, për t'iu shmangur rreziqeve të bombardimeve të Luftës II Botërore. Paraqitjet e periudhës savoiarde dhe torineze fillimisht qenë të shpeshta, por që prej vitit 1700 u bënë më të rralla. Ishin të zakonshme kur kremtoheshin data të gëzueshme të dinastisë: për shembull për dasmën e Viktor Emanuelit (II) në 1842, të Umbertit (I) në 1868, të Viktor Emanuelit (III) në 1898, të Umbertit (II) në 1931 (dy të fundit me vonesë). Më pas qenë paraqitjet e vitit 1933 (për “jubileun e shëlbimit”), 1978 (për 400 vjetët e mbërritjes në Torino), 1998 (për 100 vitet e fotografisë së parë, 500 vitet e Duomos dhe 1600 vitet e “koncilit të Torinos”) dhe 2000 (për jubileun e vitit dymijë). Në 1973 u lejua një paraqitje televizive. Në raste të ndryshme pati paraqitje private: për shembull në vitin 1804 për Piun VII që kalonte nëpër Torino drejt Francës, në vitin 1980 për Gjon Palin II dhe për eksplorime të ndryshme, si ai i 14 prillit 1997, pas flakëve të natës mes 11 dhe 12 prillit (prej të cilave Sindoni shpëtoi i padëmtuar). Në vitin 2002 u hoqën arnat e riparimeve të vitit 1534 dhe u vendos një tjetër astar (në vend të të hershmes “pëlhurë të Hollandës”) për të larguar degradimin karbonioz të akumuluar në shekuj.
Se si Sindoni ka arritur në Lirey nuk dihet me qartësi: flitet për dhuratë apo për “arritje”. Rruga e mëparshme është hipotetike dhe rindërtohet në bazë të lajmeve me interpretim të pasigurt (krh. Dubarle, 1985 dhe 1998). Viti 1204 është një datë themelore, për lajmet që kryqtarët latinë përçuan mbi qytetin e Konstantinopojës. Njëri prej tyre, Robert de Clari, përshkruan reliket që ka nderuar në kryeqytetin e krishterë të Lindjes: mes tyre një Sindon në të cilin është i dukshëm imazhi i Krishtit. Pas grabitjes së Konstantinopojës nuk kujtohet më prania e saj në atë vend dhe mendohet se ka arritur në Perëndim ose në duart e Templarëve ose, pas një qëndrimi në Athinë, në duart e kalorësve francezë që ishin ndalur aty.
Nëse për “Sindonin” e Lirey-t është e lehtë të flitet për identitet me atë aktual të Torinos, është shumë më e vështirë të bëhet një një e tillë për “sindonin konstantinopolitan”. Në pritje që të zgjidhet me siguri problemi i këtij identiteti, është e pamundur të shtrohet përsëri pyetja e shtruar për Sindonin konstantinopolitan: çfarë kishte ndodhur me atë “sindon”, para se të arrinte në “Romën e dytë”? Është shumë e mundur që ai të jetë ruajtur në Romën e Lindjes që në vitin 944, kur perandori konstantinopolitan Romani I arriti të zotëronte mandilion-in e Edesës (gjë që presupozon identifikimin e dy zbulimeve: “mandilion” dhe “sindon”, si një realitet i vetëm dhe identik). Burim i informacionit kryesor është homelia e bërë nga Gregor Referendari për mbërritjen e figurës më 16 gusht 944. Ai flet për fytyrën e përgjakur dhe për ijën prej të cilës rrjedh gjak e ujë. Në Edesë ky imazh është i pranishëm në fillim të shekullit VII dhe shpjegohet duke iu referuar legjendës së Abgarit, të cilit thuhet se i është dërguar, “jo i bërë prej duarve të njeriut”, nga ana e vetë Jezusit. Për një dokumentim në lidhje me këto hipoteza shih Wilson, 1978 dhe 1998 (autor dhe përhapës i kësaj hipoteze), Dubarle, 1985 dhe 1998, G. Zaninotto (cit. në Dubarle dhe Zaccone), Zaccone, 1997).
Bërthama historike në këtë kompleks lajmesh është e errët dhe për vështirësitë e saj janë bërë përpjekje të jepen shumë përgjigje. “Mandilion”-i tregon vetëm fytyrën e Jezusit, por flitet për pëlhurë “tetradiplon” (të palosur katërfish), ndoshta sepse vendi i çarçafit, i palosur më dysh dhe pastaj më katërsh, e linte të zbuluar dhe të dukshme vetëm një të tetën e sipërfaqes së plotë, pra atë të fytyrës (por mbi gjithë këtë çështje shih K. Dietz, në Scannerini-Savarino, 2000, 330-357, që e korrigjon hipotezën). Kjo fytyrë qe soditur prej artistëve të perandorit Justinian, i devotshëm ndaj relikes së Edesës dhe mbrojtës i saj. Thuhet se ai ka bërë të përdoret një model (i vërtetuar duke nisur prej ikonave të hershme të Shenjtes Katerinë në Sinai) që duket se imponohet me përvijime të qëndrueshme: fytyrë me mjekër dhe flokë të gjata, të ndarë në majë të kokës, ndoshta të plotësuar prej një kaçureli të lënë të lirë në qendër të fytyrës; fytyrë asimetrike, e shkaktuar prej enjtjes së faqes së majtë. Nga njëfarë lëvizjeje përhapet edhe “vaji i Krishtit”, të zbritur prej kryqit dhe të vënë mbi një pëlhurë të vendosur në tokë. Për shumë kohë duket se te Sindoni është vështruar vetëm pjesa që tregonte fytyrën. “Mandilion”-i për një pjesë të popullsisë së Edesës përbënte një relike, për të tjerë arsye skandali, sidomos në periudhën e kopjeve të “mandilia”-s: të njohura janë ato të Gjenovës dhe të Vatikanit, por duhet të ketë pasur të paraqitura edhe në Konstantinopojë. Ata që e pranojnë këtë hipotezë e lidhin me njërën prej fazave të traditës së Abgarit V ardhjen e Sindonit të Jerusalemit në Edesë dhe datën gjatë shekullit II. Gjendja e përshkruar e gjërave gjykohet në mënyra të ndryshme prej përgjegjësve të vlerave: mungesa e lajmeve të sigurta për një periudhë prej trembëdhjetë shekujsh mbahet prej disave si një vështirësi e pakapërcyeshme, njëra prej pikave të dobëta të argumentit shkencor mbi Sindonin. Të tjerë e mbajnë këtë dukuri jo edhe aq të jashtëzakonshme, në krahasim me gjetje të hershme që jo rrallë shfaqen pa tjetër lajm për veten përveç realitetit të tyre, dhe apasionohen ndaj gjurmëve që lejojnë hipoteza jo të paarsyeshme. Por është e vërtetë se kjo gjendje e gjërave kërkon përdorimin e informacioneve të tjera, që mund të jepen vetëm prej studimit shkencor të objektit në vetvete.
Nga “Fjala e Paqes”, lajmëtar fetaro-kulturor i Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër – Pult Nr. 2 (97) Viti XIII Shkurt - Mars 2011







All the contents on this site are copyrighted ©.