2011-04-05 15:51:39

Drejt lumnimit të Gjon Palit II: u paraqitën detajet për gazetarët


Vazhdojnë përgatitjet për ceremoninë e lumnimit të Shërbëtorit të Zotit Gjon Pali II. Sot, në një konferencë për shtyp në Vatikan, kardinali vikar i Romës, Agostino Valini shpjegoi programin e tri ditëve, nga 30 prilli më 2 maj, si edhe theksoi se ç’pritet nga manifestimi i madh i fesë për lumnimin e Karol Vojtilës.
“Shenjtorët janë Ungjill i mishëruar” – nënvizoi kardinal Valini – e Gjon Pali II, me personalitetin e tij të jashtëzakonshëm, tregoi si vendoset feja në Zotin në qendër të jetës.

“Një fe e përkthyer në dashuri për njerëzit”. U shua për “mbrojtjen e njeriut e të dinjitetit të tij”. “Foli shumë me heshtjen e tij”.
Në thelb – nënvizoi kardinal Valini – Gjon Pali II e ndjente krejt botën si hapësirën e jetës dhe të misionit të vet. Prelati tregoi edhe se ai vetë i ka paraqitur Selisë së Shenjtë kërkesën për kremtimin e detyrueshëm të festës liturgjike të Gjon Palit II, në një ditë, që akoma duhet caktuar.
Përsa u përket tri ditëve të kremtimeve për lumnimin e Papës Vojtila, të pasura me lutje, meditime, takime e shkëmbime përvojash feje, foli drejtori i Zyrës Liturgjike për dioqezën e Romës, imzot Marko Frizina. Të shtunën, më 30 prill, duke filluar nga ora 21.00, në “Circo Massimo” organizohet një takim lutjeje, i ndarë në dy çaste kryesore. Fillon me lutjen e Rruzares, në lidhje me pesë shenjtërore mariane të botës. Pas Rruzares, njerëzit do të mund të luten në kishat e ndryshme të qendrës së Romës, që do të qëndrojnë hapur gjithë natën. Për një listë më të plotë të këtyre kishave, mund të shihni faqen tonë të internetit .
Të nesërmen, më 1 maj, e diela e Mëshirës Hyjnore, do të kremtohet Mesha e Lumnimit të Gjon Palit II, në orën 10.00, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Mesha do të kryesohet nga Papa Benedikti XVI në bashkëkremtim me kolegjin kardinalor. Pasdite, mund të bëhen homazhe rreth trupit të të Lumit të ri, në vendin ku qe vendosur në ditët pas vdekjes.
Së fundi, të hënën, më 2 maj, Mesha e falenderimit në sheshin e shën Pjetrit, në orën 10.30, do të kremtohet nga kardinali-sekretar i Shtetit të Vatikanit, Tarçizio Bertone.
Përsa i përket organizimit të ngjarjeve, që do të karakterizojnë ditët e lumnimit të Gjon Palit II, foli administratori i Veprës Romake të Shtegtimeve, don Çezare Atuire, por hollësitë mund të konsultohen në faqen e internetit , në pesë gjuhë të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.