2011-04-05 11:12:09

Atë Karl Serreqi OFM në 57 vjetorin e vdekjes, martir


(05.04.2011 RV)Përkujtojmë sot 57-vjetorin e vdekjes së Atë Karl Serreqit, martir i rrëfimit shenjt, një nga të dyzetë martirët që dhanë jetën për fenë e çështjen e Krishtit nën tehun e shpatës së diktaturës komuniste në Shqipëri, çështja dioqezane e beatifikimit të të cilëve vijon tani në Kongregatën e Vatikanit për Shenjtorët. Atë Karl Serreq është frati që nuk pranoi me tregu rrëfimin e një të plagosuni në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 5 prill 1954.
Të gjithë ata që e pranojnë Jezu Krishtin dhe Ungjillin e tij, janë të ndërgjegjshëm se tjetër shpërblim në këtë tokë s'kanë për të pasur, veç Kryqit. E megjithatë, me miliona njerëz e pranojnë vullnetarisht Kryqin e Golgotën. Ashtu si Mësuesi. Në emër të dritës, të amshimit!
Ngarkuar rëndë me kryqin e Krishtit eci për 20 shekuj krishterimi në tokën shqiptare, që Ungjillin e pranoi së pari nga vetë Shën Pali Apostull, duke filluar kështu edhe martirizimin në emër të Lajmit të Mirë.
Të parët u martirizuan nga paganët romakë, por gjaku i tyre u bë farë për të krishterë të rinj! U dogjën e u poqën, më pas, prej turqve, por një çetë trimash nuk pranoi, as për para e as për rytbe, ta ndërronte kryqin me gjysmë hënën e qeleshen me çallmë. Falë këtyre njerëzve, katolicizmi mbijetoi në trojet shqiptare. Falë qëndrueshmërisë e besnikërisë shumëshekullore ndaj Kryqit, mundi të përballojë edhe tramundanën shkatërrimtare, komunizmin ateist.
Këtë e vërteton mrekullisht historia e familjes së vjetër shkodrane të Kolë Serreqit, që i dha fesë katolike martirë e dëshmitarë feje.
Kjo familje ishte një nga më të vjetrat e më të njohurat e Shkodrës. Një shekull e gjysmë më parë, rreth vatrës së saj u rritën Dom Pal e Dom Lazër Serreqi, që zhvilluan një veprimtari të shquar fetare e atdhetare, në kohën kur kjo veprimtari paguhej me kokë. Si iu kundërvunë disa herë urdhrave të Vezirit të Shkodrës, ai i burgosi në bimsat e errëta të kështjellës "Rozafat" dhe i dënoi me vdekje.
Familja dha gjithë pasurinë - arka të mbushura me rrushpe ari - për t'i shpëtuar dy meshtarët. Ia doli mbanesh të shpëtonte vetëm njërin. Tjetrit iu pre koka gjatë një ceremonie, që tronditi të madh e të vogël. Ishte shfaqje, e cila jepej për t'i tmerruar të gjithë ata, të cilët i gjunjëzoheshin vetëm Atij, që vdiq në Kryq për shëlbimin e të nëpërkëmburve.
Gjithsesi Veziri i Shkodrës u tregua më i njerëzishëm se oficerët mizorë të sigurimit komunist: ia dorëzoi trupin pa kokë familjes. Atëherë shtëpia e moçme karakteristike shkodrane e Serreqëve bëri një gjëmë që s' ishte dëgjuar kurrë e që rrënqethi deri gurët: vajtoi një trup pa kokë, veshur me petka elteri!
Kjo familje, si vazhdimësi tradite, do të përkundte, do të rriste në fe, në dashuri e në besnikëri të patronditshme ndaj Krishtit një tjetër figurë të ndritur të katolicizmit shqiptar, fratin françeskan Atë Karl Serreqi, të cilin sot po e përkujtojmë në 57 vjetorin e vdekjes.
Atë Karl Serreqi lindi në Shkodër më 1911. Në pagëzim iu dha emni Ndoc. Ishte dali i tretë që i shtohej familjes së Kol Serreqit, mbas Angjelinit, që për arsye të jetës së tij të devoçme u njoh në Shkodër me emrin Lin Shenjti, dhe Çeskut, që do ta kalonte një pjesë të mirë të jetës në burgun komunist.
Mësimet e para dhe të mesme Atë Karli i kreu në shkollën françeskane të Shkodrës. Studimet teologjike në Itali, në Studio Teologico Francescano.
U shugurua më 29 shtator 1936 dhe me 30 qershor të këtij viti, çoi meshën e parë në Peshia, pranë Montecatinit, në Itali.
U kthye nga dheu i huaj meshtar, 25 vjeç, plot zell e dëshirë për të përhapur dritën e Ungjillit në bjeshkët shqiptare, ku katolicizmi i bëri ballë 500 vjet presionit islamik. U caktua së pari famullitár në Nikaj e Mertur (Curraj i Epër, Berishë, Raaj) ku shërbeu 10 vjet, deri më 1946. Me 9 tetor 1946, ngarkuar me pranga, u zvarrit në kuvendin e fretërve françeskanë, kthyer në burg të tmerrshëm.
Në malet ku shërbente si famullitar Atë Karli, ishte plagosur për vdekje një malësor, në ndeshje me forcat e ndjekjes. Familja vrapoi te frati e i kërkoi t'i jepte të plagosurit sakramentet e fundme. Atë Karli e kreu me shpejtësi detyrën: e rrëfeu, e kungoi dhe e vajoi të plagosurin, që dergjej në pyll. Në këtë kohë Dukagjini ishte nën kontrollin e rreptë të komunistëve. Qe kohë zjarri, gjaku, kobi. Malet shqiptare vijonin t'i kundërviheshin diktaturës e nuk dorëzoheshin. Kontrollet komuniste e akuzuan fratin e ëmbël, të butë, të thjeshtë, që s'njihte politikë tjetër veç Kryqit të Krishtit, se kishte vajuar një diversant, se ishte në dijeni të sekreteve të rrezikshme për partinë e pushtetin, të cilat i plagosuri i kishte marrë me vete në varr.
E ndërsa shpirti i malësorit të vdekur fluturonte në dritën e amshimit, frati torturohej mizorisht në errësirën e birucës, që i ngjiste shumë bimsave, ku i pati mbyllur dikur turku dy xhaxhallarët e tij martirë. E kërcënuan. E gjakosën. Kërkonin me çdo kusht të fshehtën e pëshpëritur në prag të vdekjes, në sa njeriu flet me meshtarin, si të fliste me vetë Zotin. A mundet vallë të të tradhtojë Zoti? Prandaj ai qëndroi, e s'do të ishte as i pari as i fundit….
Familja e merrte veshtë çka po ndodhte aty brenda, kur i kthehej mbrapsht ushqimi a kur i dorëzoheshin ndërresat e mpiksura nga gjaku e qelbi, të cilat i lante me lot në sy, e kunata e devoçme, Luçia.
Më 18 janar 1947 gjyqi ushtarak lexoi dënimin e tij me vdekje. Tri javë Atë Karli priti ditë-natë ekzekutimin. Mbas tri javësh, dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Vetëm sepse nuk pranoi të bëhej spiun i komunistëve! Pse s' pranoi të shkelte premtimin e bërë në elter…
7 vjet kaloi nëpër burgje. Me 19 korrik 1947 u dërgua për të vazhduar dënimin në Maliq të Korçës. Adresa e tij e re, siç dëshmojnë letrat e ruajtura nga familjarët, ishte "Kampi i armiqve të popullit", Maliq , Korçë.
Me 3 dhjetor u transferua në Vlashuk të Urës Vajgurore - Berat e, pak më vonë, në burgun famëkeq të Burrelit. Ende s'i kishte mbushur 43 vjet, kur familja mori nga Atë Donat Kurti telegramin "Pader Karloja ndërroi jetë më 4 prill 1954 nga nji vdekje e papritun, prej zemret".
Qeveria komuniste e Shqipërisë nuk u tregua aq e mëshirshme sa Veziri turk. Nuk ia ktheu trupin e vdekur të vetëve. Frati u varros diku në varrezën e burgut. E familja nuk guxoi t'i qitëte vajin, si pati bërë me trupin pa kokë të një biri tjetër martir. Familja e qau Atë Karlin në heshtje, e qau me lot të fshehtë gjaku. …
Atë Karli është një nga njerëzit fisnikë të pa varr, por jo të paemër. Ai nuk shkroi epopenë e kombit, as satira e lirika të pavdekshme, si atë Gjergj Fishta e dom Ndre Mjeda; nuk thuri prozë madhore, si dom Lazër Shantoja; drama të bukura, si dom Ndre Zadeja; nuk kodifikoi Kanunin e Lekës, si atë Shtjefën Gjeçovi, nuk mblodhi Eposin e Mujit e të Halilit, si atë Bernardin Palaj e atë Donat Kurti… nuk shkroi, pra, kryevepra të letërsisë a të muzikës shqiptare, si shumë bashkëvëllezër të tij… Po kjo nuk ia zbeh aspak vlerën. Veprën e tij, mbrojtjen e idealit, të cilit i kishte kushtuar jetën, atë Karli e la të shkruar me gjak martiri ballë për ballë diktaturës ateiste të komunizmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.