2011-04-04 15:31:40

Imzot Oder: “Sekreti dhe thelbi i shenjtërisë së Gjon Palit II”.


(04.04.2011 RV)Kanë nisur prej kohe në mbarë botën veprimtari kishtare e kulturore, që po sensibilizojnë mbarë njerëzimin për Lumnimin e Papës Gjon Pali II. Ndërmjet tyre, konferenca “Sekreti dhe thelbi i shenjtërisë së Gjon Palit II”, mbajtur në Universitetin Papnor romak “Mbretërsha e Apostujve”. Gjatë takimit, foli edhe postulatori i Çështjes së Lumnimit të Papës Vojtila, imzot Slavomir Oder. Në mikrofonin tonë, theksoi emocionin me të cilin e pret bota, e edhe ai vetë, këtë ngjarje të madhe:

Përgjigje: - Nuk ka dyshim se, posaçërisht në aspektin shpirtëror, ndjej një emocion të thellë. Për mua, Çështja e Lumnimit të Gjon Palit II ishte pa dyshim një aventurë shpirtërore, që më la gjurmë të thella e që përbën një çast tejet të rëndësishëm në jetën time. Nuk është gjë e pakët, të kesh vetëdijen se, edhe me ndihmesën tënde në realizmin e një realiteti të tillë të jashtzakonshëm, u arrit në pikën, ku gjindemi. E kjo më fal një kënaqësi vërtet të jashtëzakonshme pëpara syve të Zotit.

Pyetje: - Duhet të ketë shumë aspekte të rëndësishme në këtë proces për Çështjen e Lumnimit. A mund të na thoni, ç’ju la më shumë mbresa nga jeta e Papës Gjon Pali II?

Përgjigje: - Sigurisht, përshpirtëria e Tij, mënyra si lutej, mënyra si jetonte Gjon Pali II. Ajo që të prek më fort, është thellësia e jetës së tij shpirtërore. Prandaj edhe njihet si “njeri i Zotit”, “njeri i lutjes”. E ky është një aspekt, që e ruaj thellë në zemër, është vërtet thesar për mua, për meshtarinë time; pastaj procesi merret edhe me takimet me njerëzit, që shkruajnë dëshmitë e që marrin pjesë në proces. Në këtë rast më bëri përshtypje të thellë afërsia e këtij Njeriu të madh të Zotit, e këtij mistiku të madh, mund të themi, me jetën e shumë njerëzve. Ai hyri në zemrat tona, në familjet tona, e aty mbeti. Dashuria, që perceptohet nga dëshmitë, të cilat vijojnë të arrijnë akoma në selinë e postulacionit, të lënë të kuptosh se Papa Vojtila nuk ka vdekur, nuk mund të vdesë. Ai është përgjithnjë i gjallë ndër zemrat tona, në ndjenjat tona, në mendimet tona.

Pyetje: - Një gjë tejet e bukur, tejet e vetvetishme, janë grupet e lutjes, që u krijuan e që po shumëfishohen në mbarë botën, me rastin e këtij Lumnimi….

Përgjigje: - Po, praktikisht që nga fillimi i procesit, menjëherë pas vdekjes së Gjon Palit II, nisën të mblidhen grupet e para të lutjes, që lindën spontanisht në vende të ndryshme të botës. Sot ka një numër të madh grupesh, në të gjitha kontinentet. Mund të njihesh me ta në faqen e internetit, kushtuar Postulacionit. Janë realitet që të bën për vete. Lëvizje shpirtërore të lindura vetvetiu, ose grupe familjare, grupe miqsh. Mblidhen në mjedise të ndryshme e i drejtojnë së bashku Gjon Palit II lutjen që të ndërmjetësojë për fatet e tyre, të kombit të tyre e të mbarë njerëzimit.

Pyetje: - Vijmë tek tema e konferencës, mbajtur nga ju në Universitetin Papnor të Mbretëreshës Qiellore. Trajtuat një temë me titull vërtet tërheqës: “Sekreti dhe thelbi i shenjtërisë së Gjon Palit II”. Natyrisht nuk është aspak e lehtë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Gjithsesi, a mund të na thoni me dy fjalë, gjë e vështirë, natyrisht, cili ishte thelbi i kësaj dëshmie?

Përgjigje: - Në të vërtetë, të realizosh me një frazë – por edhe me një konferencë, një kuadër të plotë të këtij personaliteti, është e pamundur. Megjithatë mund të them se çka e karakterizon Gjon Palin II, siç del nga kartat e procesit të Lumnimit, janë kryesisht dy përmasa. Përmasa si njeri i lutjes, njeri i Zotit dhe përmasa e ankthit të tij apostolik, e dëshirës së zjarrtë për të qenë apostull i Krishtit. Në shpirtin e tij zjente një dashuri tepër e madhe për Krishtin, që mund ta shprehim vetëm me fjalët e Shën Palit Apostull: “Dashuria për Krishtin nuk e linte të qetë”, e shtynte ta çonte Zotin në mbarë botën, t’ua çonte të gjithë njerëzve. Sepse e ndjente thellësisht se Zoti e donte, prandaj nuk mund të bënte ndryshe, veçse t’i përgjigjej kësaj dashurie me dashuri. Me thellësi të jetës shpirtërore. Duke e hapur zemrën e tij të madhe, që zinte mbarë botën.

Pyetje: - Ç’fryte priten nga Lumnimi i një majit?
Përgjigje: - Kam një bindje: në vitet e këtij procesi, ndjeva më se një herë se këtë lumnim po e bënte vetë Zoti: është ai, që dikton kohët e tij, mënyrat e tij të veprimit, nganjëherë krejt të habitshme, që shpesh të lënë pa mend. Prandaj jam i bindur se Zoti, përmes mirësisë së mesazhit të Gjon Palit II, mund të mbjellë në zemrën e njerëzve shumë farë mirësie, që do të japin pastaj, fryte të begata shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.