2011-04-02 13:18:42

"Në krahët e tij, bëheshe njeri i ri, njeri i pastër": intervistë me kryeinfermieren, që i qëndroi pranë Gjon Palit II në çastet e fundit


“Mos kini frikë, hapjani dykanatësh portat Krishtit!”: qe kjo motoja e Gjon Palit II, akoma e gjallë në kujtesën e besimtarëve të të gjithë botës, së bashku me ditët përreth 2 prillit të vitit 2005, kur ndërroi jetë përgjithnjë. Ia drejtuam mikrofonin kryeinfermieres së atëhershme të repartit, në spitalin “Agostino Xhemeli” të Romës, që i qëndroi pranë Papës Vojtila në orët e fundit të jetës. Quhet Rita Meliorin dhe i kujton kështu ato çaste:
Mendoni për një vend ku nuk ekziston as hapësira e as koha. Përfytyroni vetëm shumë e shumë dritë. Shtoni këngët, që vinin nga Sheshi i Shën Pjetrit, këngët e bijve të tij, thirrjet e të rinjve, që bëheshin gjithnjë e më të fuqishme. Mendoni për qetësinë që jep thënia e një lutjeje. Ja, kjo ka qenë për mua dita e fundit. Përveç kësaj, një dorë, pak më e ftohtë se ditët e tjera, që kujtoj se e shtrëgova, për ta vënë më pas në faqe, duke i vjedhur kështu një përkëdhelje Atit të Shenjtë, ditën e fundit të jetës së tij…

Gjon Pali II e ktheu sëmundjen në dëshmi guximi e dinjiteti. Cili është mësimi, që u lë të sëmurëve, edhe atyre që nuk besojnë në Zot?

Mësimi më i madh, sipas meje, është se sheh tek njeriu i sëmurë më tepër plotësi, më tepër aftësi për të kuptuar thelbin e vërtetë të jetës, që në atë çast të veçantë, duket se bëhet më e çmuar. Gjon Pali II na ka dëshmuar se në çastet e vuajtjes, jemi akoma më pranë Zotit, të përqafuar prej Tij. E krahët e Hyjit na duan, na përqafojnë pa gjykuar; e Zoti nuk braktis askënd, as të fundmin e bijve të vet, as atë që nuk beson. Gjon Pali II më ka mësuar se misteri i vuajtjes meriton respektin më të madh nga çdokush, se njeriu, përmes sëmundjes, ngjitet në një nivel më të lartë, pikërisht sepse sëmundja i imponon reflektimin mbi jetën e vet, mbi vendimet që ka marrë dje, sot e ato që do të marrë në të ardhmen…

Papa Vojtila e quante me shaka spitalin “Gemelli”, Vatikani i tretë, pas rezidencës së Shën Pjetrit e asaj të Kastel Gandolfos. Sipas jush, ishte i lidhur veçanërisht me këtë spital?

Eh po! Edhe sepse ka jetuar shumë çaste – ndoshta më të vështirat – në Poliklinikë. Për ne, ka qenë dhuratë t’i shërbenim Atit të Shenjtë. Ka qenë edhe shumë e lehtë, sepse Papa ishte njeri i mirë, i gëzuar e i qeshur me të gjithë. Edhe na ka dashur shumë!

Si ishin marrëdhëniet e Papës me të sëmurët e tjerë, kur shtrohej në spital?

Papa informohej vazhdimisht mbi gjendjen e të gjithë të sëmurëve, si të ishin bijtë e tij. Nuk harroi kurrë të merrej me të tjerët: dhimbja e tjetrit i përkiste edhe Atij. Siç e kam parë unë, Kryqi i tij ishte i përbërë nga të gjitha Kryqet e bijve të tij, prandaj, nuk ia mungoi kurrë lutjen secilit prej atyre Kryqeve.

Sipas jush, cili ishte tipari më i rëndësishëm i Papës, por edhe i njeriut Karol Vojtila?

Besoj se tipari më i rëndësishëm ka qenë aftësia e tij për të pranuar e falur, pa gjykuar: fillimisht si njeri, pastaj si papë. Gjon Pali II i ka parë të tjerët, ashtu siç shikon një atë bijtë e vet, pa i harruar kurrë vështirësitë e jetës së bijve. Ai i njihte sprovat e jetës – dihet, edhe nga historia e tij – prandaj nuk e kishte të nevojshme të bënte shumë pyetje. Hapte krahët e gjithçka ndryshonte. Në krahët e tij, bëheshe njeri i ri, njeri i pastër.







All the contents on this site are copyrighted ©.