Në Libi, rebelët tregohen të gatshëm për armëpushim, por me disa kushte
(01.04.2011 RV)Ndërsa në Libi luftohet, sidomos përreth Misratës dhe Marsa
el-Bregës, rebelët deklaruan gatishmërinë e tyre për një armëpushim të mundshëm, por
me disa kushte. Një ndër më kryesorët është largimi i Muhamar Gedafit dhe i familjes
së tij nga vendi. Një pikë kjo, që u diskutua gjatë edhe nga britanikët me ndërmjetësuesin
Mohamed Ismail, i cili sipas gazetës “The Guardian” është dërguar në fshehtësi në
Londër për bisedime nga Saif al-Islam, djali i dytë i kolonelit. Në konferencën
e shtypit, që u mbajt sot në Bengazi, në praninë e të dërguarit të veçantë të OKB-së,
ish-ministrit të jashtëm jordanez Abdelilah al-Katib, kreu i Këshillit Kombëtar të
Tranzicionit deklaroi se kryengritësit do ta pranonin armëpushimin, vetëm nëse libianët
e pjesës perëndimore të vendit do të gëzonin lirinë e plotë të shprehjes. Abdel
Xhalil kërkoi gjithashtu, që forcat e Gedafit të tërhiqen nga zonat e rrethuara e
të largojnë mercenarët. Nëse këto kushte nuk do të plotësohen, lufta do të vazhdojë
e në këtë rast, theksoi kryeministri i përkohshëm i rebelëve, “do të na duhen armë”.
Rebelët i bënë thirrje të drejtpërdrejtë edhe Italisë, që ka pasur marrëdhënie të
mira me Gedafin, ta bindë kolonelin të largohet nga Libia.