2011-04-01 18:43:40

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit indian Vithayathil


(01.04.2011 RV)Papa Benedikti XVI ngushëllon Kishën në Indi për humbjen e Hirësisë së Tij, Vithayathil, që mbylli sytë sot, në moshën 83 vjeçare. Në një telegram, Papa kujton përkushtimin e kardinalit të ndjerë për Kishën siro-malabareze, duke i siguruar për afërsinë e tij shpirtërore të gjithë ata, që janë në zi për humbjen e tij.
Kryeipeshkëv i madh i Ernakulam-Angamaly të siro-malabarezëve, kardinali Vithayathil, rregulltar redentorist, ishte 27 vjeç kur u shugurua meshtar e 49, ipeshkëv, pasi kishte kryer me sukses studimet për drejtësi kanonike, pranë Universitetit të Shën Tomës së Akuinit, në Romë.
Shugurimin ipeshkvnor e mori nga dora e Papës Gjon Pali II i cili, dy vjet më pas, i besoi drejtimin e Kishës siro–malabareze, duke e emëruar kryeipeshkëv të madh të kësaj Kishe të lashtë. Në vitin 2001 Papa Vojtila e krijoi kardinal.
Vitet e fundit, kardinali i ndjerë përballoi me butësi, por edhe me vendosmëri, dhunën, që vijon t’i trondisë bashkësitë e krishtera në vend. Bëri disa thirrje drejtuar autoriteteve, që t’ia prisnin hovin fanatizmit fetar, të siguronin lirinë e fesë e të praktikimit të saj për të gjithë, siç garantohet në Kushtetutën indiane. Mbrojti nga diskriminimi dalitët apo indianët e krishterë, jashtë kaste. Kur disa nga shtetet indiane miratuan ligjin kundër kthimit nga një fe, në një tjetër, e quajti këtë ligj fyerje kundër kulturës së tolerancës në Indi dhe “një nga ditët më të zeza” për vendin. “Si të krishterë që jemi – pati thënë kardinali i ndjerë – nuk mund të heqim dorë nga madhështia e kumtimit të Ungjillit. Si mund t’ia ndalosh botës të njohë bukurinë e fitores së Krishtit mbi vdekjen e mbi mëkatin? Ne nuk konvertojmë askënd me detyrim, por nuk heqim dorë nga kumtimi i së vërtetës, në përpjekjen që të gjithë ta njohin Shëlbuesin tonë.
Kujtojmë se Kisha siro-malabareze, sipas traditës, u themelua falë predikimit të Shën Tomës Apostull.









All the contents on this site are copyrighted ©.