2011-04-01 18:41:50

Në Libi, rebelët tregohen të gatshëm për armëpushim, por me disa kushte


(01.04.2011 RV)Ndërsa në Libi luftohet, sidomos përreth Misratës dhe Marsa el-Bregës, rebelët deklaruan gatishmërinë e tyre për një armëpushim të mundshëm, por me disa kushte. Një ndër më kryesorët është largimi i Muhamar Gedafit dhe i familjes së tij nga vendi. Një pikë kjo, që u diskutua gjatë edhe nga britanikët me ndërmjetësuesin Mohamed Ismail, i cili sipas gazetës “The Guardian” është dërguar në fshehtësi në Londër për bisedime nga Saif al-Islam, djali i dytë i kolonelit.
Në konferencën e shtypit, që u mbajt sot në Bengazi, në praninë e të dërguarit të veçantë të OKB-së, ish-ministrit të jashtëm jordanez Abdelilah al-Katib, kreu i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit deklaroi se kryengritësit do ta pranonin armëpushimin, vetëm nëse libianët e pjesës perëndimore të vendit do të gëzonin lirinë e plotë të shprehjes.
Abdel Xhalil kërkoi gjithashtu, që forcat e Gedafit të tërhiqen nga zonat e rrethuara e të largojnë mercenarët. Nëse këto kushte nuk do të plotësohen, lufta do të vazhdojë e në këtë rast, theksoi kryeministri i përkohshëm i rebelëve, “do të na duhen armë”. Rebelët i bënë thirrje të drejtpërdrejtë edhe Italisë, që ka pasur marrëdhënie të mira me Gedafin, ta bindë kolonelin të largohet nga Libia.








All the contents on this site are copyrighted ©.