2011-04-01 18:42:30

Kardinali Komastri, në përvjetorin e vdekjes së Gjon Palit II


Më 2 prill, gjashtë vjet më parë, Gjon Pali II kthehej në shtëpinë e Atit Qiellor. E sivjet përvjetori i vdekjes se Papes Wojtilla, ndriçohet nga atmosfera e pritjes gazmore e prekëse të 1 majit. Bota mbarë e pret këtë datë, në të cilën do ta shikojë Papën shtegtar, të lartuar në nderimet e leterit. Mbi këtë binom të jashtëzakonshëm, që na kujton zbritjen në varr e njëkohësisht lartimin e Karol Vojtilës në nderimet e elterit, flet, në mikrofonin tonë, kardinali Anxhelo Komastri, vikar i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit:...RealAudioMP3

Përgjigje: - Duhet pranuar se populli i Zotit, që në çastin e vdekejs së Gjon Palit II, ishte i sigurt se në qiell po hynte një shenjt. Përveç kësaj, kardinali i asokoshëm Jozef Racinger, më 8 prill 2005, gjatë salikimeve solemne në Sheshin e Shën Pjetrit, kujtoi se në atë çast Gjon Pali II po i shikonte të gjithë, jo më nga dritarja e bibliotekës së tij private, por nga dritarja e qiellit, duke e konsideruar kështu, në një farë mënyre, shenjt. Të gjithë i kujtojmë këto fjalë prekëse: “Atë i Shenjtë, bekona nga dritarja e qiellit”. Me lumnimin e pritshëm, siguria e popullit të Zotit kofirmohet me një akt solemn e zyrtar nga Ati i Shenjtë.

Pyetje: - Siç dihet, në çastet e fundit të jetës së tij tokësore, Gjon Pali II pati thënë: “Më lini të shkoj!”. Me këtë “të shkoj”, apo më mirë “të kthehem” te Ati qiellor, Karol Vojtila nisej për në qiell e, njëkohësisht, mbetej i gjallë mes nesh, madje ndoshta edhe më i pranishëm se më parë…

Përgjigje: - “Më lini të shkoj!” ka një kuptim të mirëpërcaktuar: Gjon Pali II e ndjente se ishte tashmë në pragun e shtëpisë së Atit. Këto fjalë shprehnin padurimin e zemrës, gati-gati gëzimin, dëshirën për të shpejtuar hapin e për të arritur sa më parë tek Jezusi, për dore me Marinë. Unë e përfytyroj, me fantazinë time të fesë, në këtë çast, i sigurt se te Porta e qiellit e priste Maria. Maria, së cilës Gjon Pali II iu lut vazhdimisht, së cilës i kishte kushtuar papninë e tij. Unë besoj se Maria e përqafoi, ashtu si kishte bërë në çastin kur plumbi e shponte tejpërtej trupin e tij. E përqafoi e ia shpëtoi jetën.

Pyetje: - “Totus tuus ego sum Maria”: jeta e papnia e Gjon Palit II ishin, janë, nën mbrojtjen e Marisë. Ja, ky lumnim mund të shikohet, në fund të fundit, si dhuratë që Virgjëra Mari i bën Kishës dhe të gjithë besimtarëve…
Përgjigje: - Natyrisht. Gjithë jeta e Gjon Palit II lidhet ngushtë me Marinë. Motoja ipeshkvnore “Totus tuus”, me të cilën ia kushtonte gjithë vetveten Marisë, shpreh përshpirtërinë e gjithë jetës së tij. Por në mënyrë të veçantë duhet të themi se Zoja e Bekuar e ndoqiu në çdo hap të papnisë. Ishte pranë tij, e ndihmonte në çaste të mira e të vështira. Sytë e saj ishin mbi të. Si të mos kujtojmë 13 majin 1981? Ditën kur përkujtohej dukja e parë e Zojës në Fatima, e kur një plumb përshkonte tejpërtej trupin e Gjon Palit II, pa arritur t’ia marrë jetën. Vetë Gjon Pali II do të pohonte më pas: “Një dorë vrasëse shtiu për të vrarë, por një dorë amtare e ndali plumbin në prag të vdekjes”. Nuk mund ta lexojmë ndryshe një ngjarje kaq misterioze. E si të mos kujtojmë, më pas, edhe 25 marsin 1984? Atë ditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, para Figures së Zojës, ardhur pikërisht për këtë rast nga Fatima, Papa – e kam edhe sot parasysh të gjallë – në gjunjë, ia kushtoi Rusinë zemrës së papërlyer të Marisë; një vit më pas, më 1985, Gorbaçovi merrte pushtetin në Rusi e niste “perestrojka”, nisnin ndryshimet e shumëpritura në Evropën Lindore. Fillonte Revolucioni i Evropës.

Pyetje: - Gjon Pali II do të lartohet në nderimet e lterit nga Benedikti XVI. Dy papë, dy shërbëtorë të Kishës, dy miq të ngushtë, dy personalitete tejet të lidhur ndërmjet tyre: edhe ky aspekt është shumë domethënës, madje, providencial…

Përgjigje: - Besoj se është hera e parë në historinë e Kishës, që një Papë ka gëzimin të shpallë të Lum, paraardhësin e tij. Sigurisht për Benediktin XVI do të jetë emocion i jashtëzakonshëm, por njëkohësisht edhe siguri shpirtërore. Gjon Pali II, tani, nga qielli, e mbështet çdo hap të pasardhësit të tij; e ngushëllon në sa e drejton Kishën, përballë sfidave të sotme. Papa, pikërisht në fjalimet e para, pati thënë: “Më duket sikur e dëgjoj përsëri zërin e tij, që më thotë: “Mos kij frikë”. ftesë, e bërë në mënyrën urdhërore, që Papa ia drejtoi botës; posaçërisht gjithë të krishterëve të përhapur anekënd Planetit. “Mos kini frikë!”. Tani, nga qielli, ia përsërit edhe Benediktit XVI, në këtë çast dramatik, në këtë çast kur deti i historisë është vërtet i trazuar nga stuhitë. Të kapur fort pas Jezusit, nën vështrimin e Marisë, mund t’i përballojmë të gjitha stuhitë e historisë, të sigurtë se do të arrijmë shëndosh e mirë në portin e Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.