2011-04-01 18:42:15

Gjashtëvjetori i vdekjes së Papës Vojtila. Fjalët e Benediktit XVI për të Lumin e ardhshëm.


Me 2 prill Kisha përkujton gjashtëvjetorin e vdekjes së Gjon Palit II, në sa pret plot emocion Lumnimin e tij, më 1 maj. Të shumta, nismat përkujtimore, që kanë në qendër figurën madhore të të Lumit të ardhshëm. Sot për Karol Vojtilën dhe trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme u fol në një mbledhje, në Universitetin Papnor të Shenjtes Krygjë. Ndërsa sonte, “Qëndra rinore e takimeve ‘Gjon Pali II”, nisi një sërë takimesh, organizuar nga shërbimi për baritorinë rinore të dioqezës së Romës. Takimet, që kanë për qëllim të krijojnë atmosferën festive, në sa afrohet 1 maji, data e lumnimit, do të mbahen nga 26 deri më 29 prill e edhe më 2 maj e do të vijojnë deri në orët e vona të natës. Por, të kthehemi mbrapa me kujtesë e të dëgjojmë fjalët e Kardinalit Racinger, e pastaj, edhe të vetë Gjon Palit II, që na kujtojnë vdekjen e shenjtërinë e Karol Vojtilës:

“Eja pas meje!”. Ç’gjë të jashtëzakonshme na la trashëgim Gjon Pali II? Gjatë salikimeve, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, më 8 prill 2005, ndërsa populli i Zotit nisi ta quante ‘Shenjt’, kardinali dekan, Jozef Racinger, nënvizoi se Papa i qe përgjigjur gjithnjë thirrjes së Zotit “Eja pas meje!”. Karol Vojtila eci pas Zotit në vitet e tmerrshme të luftës e të diktaturës, duke kapërcyer mijëra vështirësi. Eci në gjurmët e Zotit si i ri, si meshar, si ipeshkëv e në fund, si pasardhës i Shën Pjetrit. Gjon Pali II, vërejti miku e bashkëpunëtori i tij i ngushtë, “u bë një gjë e vetme me Krishtin, Bariun e mirë, që i do fort delet e veta”:
“Dashuria e Krishtit qe forca sunduese e Atit tonë të Shenjtë; kush e ka parë kur lutej, kush e ka dëgjuar kur predikonte, e di mirë këtë. E kështu, falë kësaj rrënjosjeje në Krishtin, ai mundi të mbartë një barrë që i kapërcen forcat njerëzore: mundi të jetë Bari i grigjës së Krishtit, i Kishës së Tij universale”.
Eja pas meje! Së bashku me mandatin për të kullotur grigjën e vet – pati nënvizuar Kardinali Racinger - Krishti i kumtoi Pjetrit edhe martirizimin e tij. Në periudhën e parë të papnisë, Ati i Shenjtë, ende i ri e përplot me forca, i udhëhequr nga Krishti, do të shkonte deri në skajet më të largëta të botës. Por më pas, gjithnjë më tepër, hyri në bashkim me mundimet e Krishtit. E pikërisht në këtë bashkim me Zotin e munduar, e kumtoi pa u lodhur kurrë e me thellësi të re Ungjillin, misterin e dashurisë, që shkon deri në fund të fundit. Papa vuajti e deshi në bashkim me Krishtin e prandaj edhe mesazhi i vuajtjes së tij e i heshtjes së tij ishte aq i kuptueshëm e aq i frytshëm.
Më pas, fjalët plot emocion, drejtuar Papës së dashur, duke i kërkuar, nga qielli, bekimin e Tij:
“Mund të jemi të sigurt se Papa ynë i dashur, tani në dritaren e shtëpisë së Atit Qiellor, na shikon e na bekon. Po, bekona, o Atë i Shenjtë. Ne po ia besojmë shpirtin tënd të dashur Nënës së Hyjit, Nënës tënde, që të udhëhoqi çdo ditë e të udhëheq edhe tani në lumninë e amshuar të Birit të saj, Jezu Krishtit, Zotit tonë. Amen!”.
E Jozef Racinger, tani Papa Benedikti XVI, në Meshën e fillimit të papnisë, ia besoi përsëri veten mbrojtjes së Paraardhësit, duke iu drejtuar, me emocion të thellë, në sa niste të ecte në gjurmët e Tij:
“Akoma e vazhdimisht më jehojnë në veshë fjalët e tij: “Mos kini frikë! Hapjani, dy kapakësh, portat Krishtit – e do të gjeni të vërtetën”.
Zëri i Gjon palit II:
“Mos kini frikë! Hapjani, madje dy kapakësh, portat Krishtit!”.
Këtë thirrje Papa Vojtila na e përsërit me forcë të madhe e me bindje të madhe, duke u nisur nga përvoja e një jete të gjatë personale. Mos kini frikë nga Krishti! Ai nuk merr asgjë e jep gjithçka. Kush i dhurohet atij, merr njëqind fish më tepër. Po, hapjani, dy kapakësh, portat Krishtit – e do të gjeni të vërtetën!







All the contents on this site are copyrighted ©.