2011-03-31 12:18:59

Çelësi i fjalëve të Kishës: bamirësia


(31.03.2011 RV)Nesër, në predikimin e dytë të Krezhmëve, predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Kantalamesa do të flasë për bamirësinë e krishterë. Pikërisht fjala “bamirësi”, e cila vjen nga latinishtja “caritas”, është në qendër të reflektimit tonë të sotëm.

Fjala “caritas” përkthehet “bamirësi”, por edhe “dashuri”, në kuptimin e dashurisë pa interes për të tjerët, në të cilën realizohet përsosuria e shpirtit njerëzor. Kur bëhet ashtu si duhet, bamirësia pasqyron dhe i thur lavde vetë natyrës së Zotit, prandaj është një ndër virtytet teologale, së bashku me fenë dhe shpresën. Në format më të skajshme, kjo lloj dashurie mund të arrijë deri në flijim. Përmes bamirësisë, njeriu zbaton udhërimin e dashurisë, që Krishti u la dishepujve të vet e që jep lumturinë e amshuar.
E mrekullueshme është pjesa e Letrës së parë drejtuar Korintianëve nga Shën Pali Apostull, ku ai flet për këtë lloj bamirësie e dashurie, duke u bërë jehonë fjalëve të Krishtit:
“Dëshironi dhuratat më të shëlqyeshmet! Dhe ja, po ju dëftoj më të shkëlqyeshmen udhë! Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por të mos kisha dashurinë, do të isha porsi bronxi që kumbon e porsi cimbali që tingëllon. Po ta kisha dhuratën e profecisë e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’u shndërroja vend maleve, por po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë!
Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet në të madh, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet së vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, duron gjithçka. Dashuria nuk mbaron kurrë” (12,30; 13,1-7).
Është kulmi i mësimeve të Apostullit të Popujve, i cili na ka lënë përkufizimin më të plotë të bamirësisë së krishterë e na ka treguar edhe mënyrën më të drejtë të jetesës, për të cilën Krishti erdhi mbi tokë e u flijua në Kryq.
Besimtarëve, që shpesh e kuptojnë krishterimin si një sërë doktrinash, ritesh e rregullash, shën Pali u tregon një mënyrë sjelljeje, një lloj gatishmërie, një jetë ku nuk ka rëndësi tjetër gjë, veçse dashurisë për të afërmin: “Askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin, e ka plotësuar Ligjin” (Rm 13,8).
A nuk qe dashuria, dëshira për të bërë mirë, ajo që e shtyu Zotin të dërgonte Birin e tij për shëlbimin e botës, sepse: “Hyji aq fort e deshi botën saqë e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në Të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur” (Gjn 3,16). Edhe ai që e shtyu Krishtin ta dhuronte vetveten për ne, qe një gjest dashurie: “Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të” (Ef 5,25).
Dashuria që na ka treguar Krishti është konkrete. Në fakt, nuk ka gjë më të shëmtuar, se sa shpallja e kësaj dashurie e bamirësie veçse me fjalë, ose për t’u dukur e për të vënë në piedestal vetveten. Dashuria e vërtetë është e pastër, e sinqertë, pa interes, e përvujtë, nuk kërkon asgjë, por ofron gjithçka. Prandaj, shën Gjoni, në kapitullin e 3-të të letrës së tij të parë paralajmëron: “Mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë” (3,18).
Dashuria drejt së cilës na udhëheqin Jezusi e apostujt, nuk mund të arrihet brenda një dite, as brenda një viti. “Të bësh mirë”, ashtu si duhet, është rezultat i një rruge të gjatë e të vështirë, në të cilën çdo hap përfaqëson një fitore për shpirtin. Kështu, njeriu i vjetër brenda nesh, pak nga pak, lë pas valixhen me mungesa e egozima që mbart mbi vete, dhe ia lë vendin krijesës së re, bërë në shembëlltyrë e në përngjasim me Zotin. E më tepër se sa gjestet e mëdha, me të cilat mundohemi të zgjidhim problemet e botës, dashuria e bamirësia realizohen në gjestet e vogla, të përditshme për të afërmit. E kjo lloj dashurie e bamirësie nuk ka të bëjë me simpatitë njerëzore, nuk është ndonjë praktikë morale, por është dhurata më e madhe e Zotit e shfaqet aty, ku vepron Shpirti Shenjt. Vërtet, në letrën drejtuar romakëve, shën Pali shkruan: “…dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt, që na u dhurua” (5,5).







All the contents on this site are copyrighted ©.