2011-03-31 16:18:09

Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar u uron budistëve festën e Vesahk-ut


(31.03.2011 RV)Dialogu ndërmjet feve është “rruga alternative” drejt paqes. Kjo është bindja e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, i cili u drejton një mesazh urimi budistëve, me rastin e festës së Vesahk-ut, që nga vendet lindore kremtohet në data të ndryshme ndërmjet prillit e majit. Kjo festë kujton përvjetorin e lindjes së Budës.
“Në botën e sotme, që karakterizohet nga forma shekullarizmi e fondamentalizmi, të cilat janë shpesh armike të lirisë e të vlerave të vërteta shpirtërore, dialogu ndërfetar – lexohet në mesazh – mund të jetë rruga alternative, me të cilën gjejmë “udhën e artë” për të jetuar në paqe e për të punuar për të mirën e përbashkët”. Dialogu, pohohet më tej, “është edhe një nxitje e fuqishme për të respektuar të drejtat themelore të njeriut, sidomos lirinë e ndërgjegjes e lirinë e kultit. Kur liria fetare njihet vërtet, dinjiteti i njeriut respektohet me themel”.
Letra e nënshkruar nga kryetari dhe sekretari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Zhan-Lui Turan dhe kryeipeshkvi Pierluigji Çelata, ndalet në marrëdhëniet ndërmjet paqes, së vërtetës dhe lirisë. “Kusht i nevojshëm për të arritur paqen autentike – thekson dikasteri vatikanas – është impenjimi për të kërkuar të vërtetën”. Kjo “prirje e natyrshme e njeriut drejt së vërtetës u ofron ndjekësve të feve të ndryshme mundësinë e takimit e të thellimit në dhuratat e secilit”. Gjithashtu, kërkimi i sinqertë i së vërtetës dhe i së mirës përforcon ndërgjegjen morale të institucioneve, pra ka vlerë edhe për shoqërinë në përgjithësi.
Mesazhi përfundon me urimin, që kremtimi i festës së Vesakh-ut të jetë burim pasurimi shpirtëror dhe rast për t’i dhënë një shtysë të re kërkimit të së vërtetës, me qëllim që të tregohët kujdes për ata që vuajnë e të rriten përpjekjet për të jetuar në harmoni.
Kujtojmë se festa e Vesakh-ut karakterizohet nga një datë e lëvizshme. Sipas traditave të ndryshme, ajo kremtohet më 8 prill në Japoni, më 10 maj në Kore, Kinë, Tajvan, Vietnam e Singapor për budistët “mahayana”, ndërsa më 17 maj për budistët “theravada”.







All the contents on this site are copyrighted ©.