2011-03-30 18:02:27

Ligj i ri i Vatikanit për të drejtën e autorit


(30.03.2011 RV)Më 19 mars, Komisioni Papnor i Shtetit të Vatikanit miratoi ligjin e ri për mbrojtjen e së drejtës së autorit. Ndryshimet janë bërë të nevojshme nga problemet, që ka sjellë zhvillimi teknologjik, i cili, nëse nga njëra anë, lejon përhapjen e mesazhit ungjillor e të fjalës së Papës përmes internetit, në të gjithë botën, nga ana tjetër mundëson shpërdorime dhe shtrembërime.
Ligji mbi të drejtën e autorit në Vatikan ekziston që nga 12 janari i vitit 1960, miratuar nga Papa Gjoni XXIII dhe, është i njëjtë me normativën italiane. Edhe ai i sivjetmi ndjek ndryshimet e ligjit italian dhe parashikon azhurnimin automatik në të ardhmen, natyrisht, duke pasur parasysh kufizimet, që përcaktohen nga e drejta hyjnore, e drejta kanonike, Paktet Lateranense dhe nga të gjitha ato raste kur ligji italian nuk mund të zbatohet në Vatikan.
Në veçanti, ligji i ri parashikon mundësinë që secili të mund të marrë lirisht nga faqet e internetit të Selisë së Shenjtë çdo tekst të Magjisterit të Kishës Katolike, por ta përhapë pa përfitim ekonomik për vete. Juridikisht, ndryshimi i tyre nuk është i lejueshëm. Pra, Selia e Shenjtë mund t’i kërkojë një editori të caktuar të heqë nga faqja e internetit, ose të korregjojë një tekst të ndryshuar, apo të paautorizuar. Normativa e re mbron gjithashtu të gjitha shkrimet dhe fjalimet e Papës dhe përcakton kriteret për administrimin e imazhit dhe të zërit të tij. Siç është aktualisht, ky administrim u besohet Shtëpisë Botuese të Vatikanit, Qendrës Televizive dhe Radio Vatikanit. Risi tjetër është ngritja e Komisionit për pronësinë intelektuale, për të favorizuar diskutimet dhe koordinimin ndërmjet administratave vatikanase.







All the contents on this site are copyrighted ©.