(30.01.2011 RV)Në Konferencën e djeshme të Londrës mbi Libinë mori pjesë edhe
Selia e Shenjtë, e përfaqësuar nga Nunci Apostolik në Britaninë e Madhe, imzot
Antonio Menini. Atij ia drejtuam mikrofonin për një koment: U nënvizua se
operacionet ushtarake janë të ligjshme – pra kanë edhe kufi – për t’iu përgjigjur
nevojës për respektimin e të drejtave qytetare dhe për mbrojtjen e civilëve. Sapo
të plotësohet kjo kërkesë, veprimtaritë ushtarake duhet të ndalen. I rëndësishëm është
krijimi i Grupit të Kontaktit për të përcaktuar perspektivën, apo hapat, që duhen
bërë në të ardhmen për ndërtimin e një Libie të re. Ndihma humanitare, të paktën nga
sa u tha, nuk do të kufizohet në përballimin e emergjencës, por edhe në ndërtimin
e infrastrukturave, të urave, shtëpive, spitaleve etj.. Një tjetër fakt, që më duket
i rëndësishëm, është se gjithçka do të koordinohet drejtpërdrejt nga sekretaria e
përgjithshme e OKB-së, përmes një të dërguari të veçantë në Libi. Pra, mund të them
se nëse pjesa politike e luftarake mbetet në duart e strukturave kryesisht ushtarake,
përmasa humanitare duket se i referohet detyrës themelore të bashkësisë ndërkombëtare
për t’u kujdesur për plotësimin e kërkesave të popullsisë. Folët për Grupin
e Kontaktit, ku do të marrin pjesë edhe Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Madje,
mbledhja e ardhshme do të zhvillohet pikërisht në Katar. Sipas jush, ç’rëndësi kanë
këto vende brenda Grupit? Katari nënvizoi se dëshiron të luajë rolin e urës
me vendet e tjera arabe, duke vënë në dukje mbështetjen e Lidhjes Arabe për rezolutën
e OKB-së. Element tjetër i rëndësishëm: ky Grup Kontakti është i hapur, madje urohet
që të marrin pjesë aktive në të Bashkimi Evropian, Bashkimi Afrikan, Organizata e
Shteteve të Gjirit Persik e organizma të tjera ndërkombëtare. Natyrisht, do të ketë
një bërthamë drejtuese, por do të kërkojë bashkëpunimin e të gjithëve, pasi detyra
e kësaj bërthame do të jetë sidomos përvijimi i një plani për të ardhmen e Libisë,
me hapa konkrete e etapa të përcaktuara së bashku me Këshillin Kombëtar të Tranzicionit,
pa përjashtuar asnjë pjesë tjetër të shoqërisë libiane, pra, asnjë grup etnik apo
fisnor e aq më tepër, asnjë grup fetar, pavarësisht se pakicë.