2011-03-29 15:41:11

Sulme kundër familjes. “Nuk mund të qëndrojmë indiferentë”, thekson Benedikti XVI


(29.03.2011 RV)“Nuk mund të qëndrojmë indiferentë” ndaj sulmeve të sotme kundër familjes, qelizë themelore e shoqërisë: kështu pohon Papa në mesazhin e tij për takimin e ipeshkvijve përgjegjës për punën baritore me familjen, që vazhdon në Bogota të Kolumbisë. Në konferencë marrin pjesë prelatë nga Komisionet Ipeshkvnore për Familjen e Jetën në Amerikën Latine e në Karaibe.
Familja, thekson Benedikti XVI, është akoma vlerë e rëndësishme për popujt e Amerikës Latine, por vuan nga gjendja e krijuar për shkak të ndryshimeve të shpejta kulturore, të paqëndrueshmërisë shoqërore, për shkak të emigracionit, të varfërisë, të programeve edukative, që banalizojnë seksualitetin e të ideologjive të rreme.
“Në Ungjill – shkruan Papa – gjejmë dritën e nevojshme për t’iu përgjigjur këtyre sfidave pa u shkurajuar”. Ati i Shenjtë përsërit impenjimin e Kishës Katolike në favor të familjes, së konceptuar si bashkim i një burri me një grua. Kjo familje, thekson Papa, mund të “kryejë misionin e saj si qelizë e gjallë e shoqërisë, burim virtytesh, shkollë bashkëjetese, mjet mirëkuptimi e hapësirë e privilegjuar, në të cilën, me gëzim e përgjegjësi, pritet e mbrohet jeta njerëzore nga fillimi deri në fundin e saj të natyrshëm”. Duhen mbështetur prindërit në detyrën për t’ua përçuar fenë e vlerat njerëzore brezave të rinj, përfundon Benedikti XVI.
Sipas kryetarit të Këshillit Papnor për Familjen, kardinali Enio Antoneli, në çdo famulli duhet formuar së paku një bërthamë familjesh shembullore e të vetëdijshme për misionin e tyre në Kishë e në shoqëri. Pa to, nënvizoi kardinal Antoneli, nuk është e mundur të realizohet edukimi i dashurisë dhe i seksualitetit të shëndoshë, gjatë përgatitjes së të fejuarve për martesë. Në fund, kardinali kërkoi që pjesëmarrësit e takimit të Bogotasë të luten për familjet e Amerikës Latine e për të gjitha familjet e botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.