2011-03-29 15:43:21

Pakicave të krishtera u mohohet liria fetare!


(29.03.2011 RV)“Liri e mohuar; vuajtjet e pakicave të krishtera në botë” titullohej konferenca, organizuar këto ditë në Romë, nga Akademia Engjëllore kostandiniane. Ndërmjet pjesëmarrësve, edhe kardinali Silvestrini, prefekt nderi i Kongregatës për Kishat Lindore, si dhe imzot Mikhael Al-Xhamil, prokurator i Patriarkanës së Antiokisë së sirëve, në Romë. dia Gjatë konferencës, foli edhe Tayser Ammary, jordanez, i krishterë katolik. Aktualisht impenjohet edhe si zëdhënës i një grupi arab demokratik, formuar nga të krishterë e myslimanë, lindur për të ndihmuar të krishterët, që të mos emigrojnë nga vendet arabeRealAudioMP3

Përgjigje: - Duam të sensibilizojmë botën, posaçërisht Perëndimin, për rrezikun e emigrimit të të krishterëve nga vendet arabe, sidomos nga Iraku e Palestina, por edhe nga Egjipti. Duam të punojmë së bashku, që të krishterët të mbeten në vendet e tyre. Përndryshe, pa të krishterë, kishat do të shndërroheshin në muze.

Pyetje: - Ju thatë se të krishterët e Jordanisë kanë të njëjtat të drejta me myslimanët…

Përgjigje: - Është i vetmi vend, në të cilin i kemi të gjitha të drejtat: politike, ekonomike e shoqërore…

Pyetje: - Si jetojnë të krishterët në vendet e tjera arabe?

Përgjigje: - Jo si në Jordani. Në Egjipt nuk shikohen si qytetarë të klasës së parë; në Irak aktualisht vriten; në Arabinë Saudite nuk lejohet ndërtimi i kishave; në Siri trajtohen disi më mirë.

Pyetje: - Grupi, që ju keni themeluar, dëshiron, me sa dimë, të luftojë pikërisht kundër largimit të të krishterëve nga vendet arabe. Ç’u kërkoni qeverive perëndimore?

Përgjigje: - Qeverive perëndimore u kërkojmë që, kur mësojnë se në një vend mysliman të krishterët trajtohen keq, të ndërhyjnë, së paku me fjalë, ashtu siç bën Papa.

Pyetje: - Me ç’sy i shikoni revoltat në Veri të Afrikës?

Përgjigje: - Jam tejet i sigurtë se po të kishte demokraci dhe drejtësi shoqërore, të rinjtë nuk do të bëheshin ekstremistë e, prej këndej, nuk do të merrnin arratinë drejt Lampeduzës. Pse vijnë në Lampeduzë, në Evropë, pse ikin? Sepse janë të papunë, kanë uri e sepse në vendet e tyre mungon drejtësia shoqërore!









All the contents on this site are copyrighted ©.