2011-03-28 18:22:57

“Në vend të armëve, dialog!”: thirrje e Papës për Libinë dhe Lindjen e Mesme.


(28.03.2011 RV)Pasuria e Kohës kreshmore, kur njeriu ndalohet një çast, për ta dëgjuar më mirë zërin e Zotit, dhe thirrja e fuqishme për Libinë, e edhe për mbarë Lindjen e Mesme, ishin në qendër të reflektimit të Papës në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Benedikti XVI kërkoi impenjim diplomatik, në vend të armëve; dialog e pajtim, në vend të konfliktit e të vdekjes.
“Duke dëgjuar lajmet, gjithnjë më dramatike, që vijnë nga Libia, shqetësohem shumë për jetën dhe sigurinë e popullsisë civile si dhe për zhvillimet e mëtejshme të situatës, në të cilën vijojnë të flasin armët”. Janë fjalët e Papës, që bën thirrje të fuqishme për dialog:RealAudioMP3
“Në çastet e tensionit më të madh bëhet edhe më urgjente kërkesa për të përdorur çdo mjet të mundshëm të veprimtarisë diplomatike e për të mbështetur edhe sinjalin më të dobët, që i hap rrugën paqes e vullnetit për pajtim ndërmjet të gjitha palëve, në kërkim të rrugëzgjidhjeve paqësore e afatgjata”.
Në këtë perspektivë, duke i siguruar të gjithë ata që vuajnë, për lutjen e afërsinë e tij, Papa iu drejtua edhe atyre, që kanë përgjegjësi institucionale:
U bëj thirrje, që pret përgjigje të ngutshme, organizmave ndërkombëtare dhe të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi politike e ushtarake, për fillimin e menjëhershëm të dialogut, duke i dhënë fund, kështu, vringëllimës së armëve”.
E në vijim, Papa kujtoi situatën e shqetë në të gjithë Lindjen e Mesme:
“Mendimi im shkon, në përfundim, tek Autoritetet dhe tek qytetarët e Lindjes së Mesme, të cilët këto ditë u tronditën nga episode të ndryshme dhune, që edhe atje të kërkohet rruga e dialogut dhe e pajtimit, e bashkëjetesës së drejtë e vëllazërore”.
“Gjithëpushteti i Dashurisë e respekton gjithnjë lirinë e njeriut; troket në zemrën e tij e pret me duresë përgjigje”. Këto janë fjalët, me të cilat Benedikti XVI, gjithnjë në lutjen e Engjëllit të Tënzot, komentoi, duke u nisur nga Liturgjia, episodin ungjillor të dialogut ndërmjet Jezusit e Samaritanes, duke na ftuar të gjithëve të reflektojmë për vlerën e Kreshmëve:
“Të ndalemi një çast në heshtje, në dhomën tonë, në një kishë ose në një vend të veçuar”.
Papa shpjegoi se Hyji Atë dërgoi Krishtin, që të shuajë etjen tonë për jetën e amshuar. Pa harruar se një dhuratë të tillë mund ta marrim, vetëm në se i përgjigjemi thirrjes së Jezusit dhe e dëgjojmë me vëmendje fjalën e Tij:
“Falë takimit me Jezu Krishtin dhe dhuratës së Shpirtit Shenjt, feja e njeriut përsoset, si përgjigje ndaj përsosurisë së zbulesës së Zotit”.
Duke kujtuar takimin e Jezusit me Samaritanen, Papa nënvizoi disa vlera simbolike:
Del në plan të parë simboli i ujit, që nënkupton qartë sakramentin e Pagëzimit, gurrë e jetës së re për fenë, në hir të Zotit. Ky Ungjill, ashtu siç e kujtova në katekizmin e së Mërkurës së Përhime, bën pjesë në itinerarin e lashtë të përgatitjes së katekumenëve për sakramentet e para të krishtera, të cilat i merrnin Natën e gjatë, pa gjumë, të Pashkëve... Ky ujë përfaqëson Shpirtin Shenjt, dhuratë që na e solli Jezusi, në emër të Hyjit Atë. Kush rilind nga uji e nga Shpirti Shenjt, domethënë nga Pagëzimi, hyn në lidhje reale me Hyjin; lidhje e birit me Atin; Hyji është shpirt; ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë” (Gjn 4,23.24), siç i kujtoi Jezusi Samaritanes”.
Secili nga ne mund të zërë vendin e Samaritanes, pohoi Papa, që i ftoi të gjithë ta dëgjojnë zërin e Jezusit, i cili na flet e na thotë: “Po ta dije ti çka të dhuron Hyji!”.

Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa i ftoi përsëri besimtarët ta dëgjojnë me vëmendje të madhe zërin e Zotit. Një përshëndetje të posaçme, Benedikti XVI u drejtoi nxënësve dhe profesorëve të Kolegjit të Shën Tomës në Lisbonë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, që i kujtuan Atit të Shenjtë vizitën e tij baritore në Portugali, një vit më parë. Në italisht, pastaj, Papa përshëndeti përzemërsisht kardinalin Elio Sgreçia dhe pjesëmarrësit në takimin me temë: “Fëmijët, që nuk dolën në dritë: nderim e mëshirë për ta!”, takim – pohoi Papa - që u kujton të gjithëve respektin e shenjtë për fëmijët e palindur, sepse të abortuar. Benedikti XVI përshëndeti edhe familjet e Lëvizjes së Dashurisë Familjare si dhe besimtarët e shtegtarët që, gjatë gjithë natës të së shtunës, u lutën në Kishën romake të Shën Gregorit VII, për përfundimin sa më të shpejtë të situatës dramatike në Libi.










All the contents on this site are copyrighted ©.