2011-03-28 18:23:42

Vikari Apostolik i Tripolit për thirrjen e Papës në favor të civilëve në Libi


(28.03.2011 RV)Ndërkaq, thirrja e djeshme e Papës për Libinë, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës Benedikti XVI shprehu shqetësimin për civilët dhe i këshilloi palët të përdorin diplomacinë, në vend të armëve, pati jehonë të madhe në Libi. Të dëgjojmë vikarin apostolik të Tripolit, imzot Gjovani Inoçenco Martineli:RealAudioMP3

Para së gjithash, në bashkësinë e krishterë ka shumë shpresë që fjala e Papës të dëgjohet nga politikanët e përgjegjësit e gjendjes. Ishin fjalët që prisnim e sigurisht, Papa interpretoi dëshirën e të gjithë njerëzve që punojnë për këtë vend. Dorëzuam sot paradite thirrjen e Atit të Shenjtë e presim reagimin e autoriteteve.

Nesër do të zhvillohet Konferenca e Londrës për Libinë. Ç’prisni prej saj?

Uroj që jo vetëm Evropa, por edhe Bashkimi Afrikan të marrë pjesë në këto marrëveshje politike, sepse ka një rol të rëndësishëm e ndikim të madh mbi Libinë e mbi Gedafin. Ta lesh mënjanë Bashkimin Afrikan do të thotë të mos marrësh në konsideratë rolin e Libisë në historinë e sotme të Afrikës e të punosh me vendime të pjesshme.

Si jetohet gjatë këtyre orëve në Tripoli?

Në qetësi e në pritje: pas natës së bombardimeve, megjithëse jashtë Tripolit, shpirtrat janë të trazuara. Ka radhë për benzinën, për bukën, për ushqimet e tjera… Njerëzit s’janë mirë, u shihet trishtimi në sy, si kurrë ndonjëherë! Nuk kuptohet si mund të zgjidhen problemet e kësaj situate.








All the contents on this site are copyrighted ©.