2011-03-28 18:23:54

Radioaktivitet tejet i lartë në Fukushimë të Japonisë. Gjenden gjurmë plutoniumi.


(28.03.2011 RV)Rritet alarmi në centralin atomik të Fukushimës. Për herë të parë, që nga fillimi i emergjencës, është gjetur ujë me radioaktivitet shumë të lartë jashtë njërit prej reaktorëve, me rrezik ndotjen e ambientit rrethues, duke përfshirë edhe detin.
Uji i zbuluar në tunelin e nëndheshëm për mirëmbajtjen e reaktorit ka një dozë prej 1000 milisivert në orë, ndoshta më e larta e regjistruar ndonjëherë në raste emergjence. Kujtojmë se ekspozimi ndaj një doze prej 100 milisivert në një vit (pra në shumë më tepër se një orë) konsiderohet pragu, pas të cilit është pothuaj e sigurtë shfaqja e ndonjë tumori.
Firma që administron impiantin, Tepko nuk është në gjendje të thotë nëse uji mund të arrijë deri në det, por radioaktiviteti i lartë i matur në breg, gati 2000 herë më shumë se niveli i lejuar, dëshmon për mundësinë e ndotjes së zonës. Ndërkaq, Greenpeace njofton se janë gjetur nivele radioaktiviteti jashtë norme edhe 40 km larg centralit, duke i kërkuar qeverisë ta zgjerojë zonën e ndalim-qarkullimit. Por Tokio nuk përgjigjet.







All the contents on this site are copyrighted ©.