2011-03-28 18:22:44

Gjendja e të krishterëve dhe liria fetare në Lindjen e Mesme, në audiencën e Papës me kryepeshkopin Krizostomos II, primat i Kishës ortodokse të Qipros.


(28.03.2011 RV)Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë, kryepeshkopin Krizostomos II, primat i Kishës Ortodokse të Qipros. Gjatë bisedimit, njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit, u shqyrtuan, ndërmjet tjerash, gjendja e të krishterëve në Lindjen e Mesme dhe tema e lirisë fetare në Ishullin mesdhetar. Historia e vendit, në të cilin 78% e banorëve janë ortodoksë, lidhet ngushtë me atë të Kishës qipriote.

Nuk është i pari, ky takim i Benediktit XVI me kryepeshkopin Krizostomos II. Papa e Primati ortodoks janë takuar edhe dy herë të tjera. Herën e parë, me rastin e vizitës së Kryepeshkopit në Romë, nga 12 deri më 19 qershor të vitit 2007; ndërsa herën e dytë, më 4 deri më 6 qershor 2010, në Qipro, kur Papa vizitoi Ishullin. Përmasa ekumenike ishte një nga aspektet më të spikatura të këtij shtegtimi apostolik. Me këtë rast, Ati i Shenjtë pati pohuar se ishte e nevojshme të fuqizohej besimi reciprok dhe miqësia e përhershme me të gjithë ata, që adhurojnë të njëjtin Zot. Kryeipeshkopi Krizostomos II, para shtegtimit të Benediktit XVI në Qipro, kishte nënvizuar se “vullneti i Zotit është që të gjitha fetë e të gjitha Kishat të bashkohen e të jenë një gjë e vetme”.
Po sot, menjëherë pas takimit me Benediktin XVI, kryepeshkopi u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone. Para nisjes, parashikuar për datën 30 mars, do të bisedojë edhe me kardinalin Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore si dhe me kardinalin Kurt Koh, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Do të takohet, pastaj, edhe me kardinalin Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën dhe me kardinalin Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.

Kisha qipriote, e pasur me dëshmi, të cilat nisin që nga zanafilla e krishterimit, e themeluar nga Shën Barnaba Apostull, ka një rol tejet të rëndësishëm edhe në historinë e sotme të Qipros. Menjëherë pas pavarësisë, më 1960, kryepeshkopi Makarios III, duke vijuar të jetë prijës shpirtëror i ortodoksëve, u zgjodh edhe president i parë i Republikës së posalindur të Qipros. Pas pushtimit të pjesës veriore të Ishullit nga turqit dhe ndarjes, më 1974, të dy bashkësive të Ishullit në greko-qipriotë dhe turko-qipriotë, pasardhësi i Makarios III, kryepeshkopi Krizostomos I, i priu vendit drejt hyrjes në Bashkimin Evropian. Në vitin 2006 u emërua primat i Kishës ortodokse Krizostomi II, i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, sepse prijësi i bashkësisë ortodokse qipriote ka edhe funksionin e “etnarkut”, apo të përfaqësuesit të popullsisë greke të Ishullit.









All the contents on this site are copyrighted ©.