2011-03-26 16:36:34

Kryqi-BE, vendim historik: kështu u shpreh Selia e Shenjtë për vendimin e Gjykatës Evropiane. Me ne, imzot Gjordano.


Selia e Shenjtë dhe përfaqësuesit e botës politike e civile, shprehën kënaqësinë e tyre të thellë lidhur me vendimin e Dhomës së Madhe të Gjykatës së Strasburgut për të drejtat e njeriut, që mbylli përfundimisht “çështjen Lautsi”, duke pohuar se ekspozimi i kryqit në mjedise shkollore nuk konsiderohet indoktrinim, por shprehje e identitetit kulturor e fetar të vendeve me traditë të krishterë.
Folëm për këtë ngjarje historike, me Vëzhguesin e përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës, imzot Aldo Gjordano, në mikrofonin tonë.

Pyetje: - Imzot, në instancën e parë Italia akuzohej si e pandehur për shkeljen e të drejtës së edukimit të njeriut, që nuk beson; ndërsa dihet se Kisha, në emër të Kryqit, mbron lirinë fetare, duke e konceptuar si të drejtë për të besuar e për të mos besuar… Kështu mund të themi se liria fetare është njëlloj në dobi të të gjithë njerëzve, pavarësisht nga besojmat…

Përgjigje: - Natyrisht. Pikërisht tek i Kryqëzuari konceptimi i lirisë arrin kulmin: Krishti është vetje – për besimtarët Bir i Zotit – i lirë deri në atë masë, sa të vendosë ta dhurojë jetën për t’i rikthyer njerëzimit lirinë e humbur. Prandaj mund të themi: mbi Kryq shkruhet simbolikisht fakti se liria u përket të gjithëve. Jezu Krishti e dhuroi jetën për të gjithë, jo vetëm për disa. Prandaj ka shumë rëndësi të pohohet se liria është brenda krishterimit: krishtërimi është fe e lirisë, e kur e mbështesim lirinë fetare, do të thotë pikërisht se mbështesim lirinë e çdo njeriu. Lirinë e shkruar në shpirtin e njeriut që, prej këndej, u përket të gjithëve.

Pyetje: - Dhoma e Madhe e Gjykatës së Strasburgut nuk e pranoi akuzën kundër Italisë për shkelje të të drejtave të njeriut. Theksoi, pastaj, edhe disa pika të tjera të rëndësishme. Mund të na thoni diçka për to?

Përgjigje: - Gjykata pohoi, pikërisht, se prania e Kryqit në klasa nuk shkel asnjë pikë të Konventës evropiane të të drejtave të njeriut, posaçërisht, nuk e shkel fare nenin 2 të Protokollit 1 të Konventës, domethënë nenin që flet për lirinë e shkollimit, duke respektuar bindjet e prindërve. Vendimi nënvizon disa aspekte: para së gjithash, të drejtën e prindërve në fushën e edukimit dhe të shkollimit për bijtë e tyre. Detyrimi, që shteti t’i respektojë prindërit, vlen për përmbajtjen dhe metodën e mësimdhënies, por edhe për mjediset shkollore, prej këndej, edhe për objektet, që vendosen në këto mjedise. Pika e dytë: Gjykata pohoi se nuk mund të vërtetohet që prania e Kryqit është problematike për disa nga nxënësit e se nuk mjafton një përshtypje e tipit personal, individual, për të përligjur mendimin se Kryqi ka ndikim shkatrrimtar. Pranohet, pra, në një nivel juridik tejet autoritar e ndërkombëtar, se kultura e të drejtave të njeriut nuk duhet t’i kundërvihet bazave fetare të qytetërimit evropian, të cilit krishtërimi i ka dhënë kontributin themelor. Pranohet edhe se është e domosdoshme t’i garantohet çdo vendi hapësira e nevojshme për vlerësimin e simboleve fetare të historisë së vet kulturore dhe të identitetit kombëtar si dhe e drejta për t’i eskpozuar në kënde të caktuara. Në rast të kundërt, në emër të lirisë fetare, do të kishim prirjen paradoksale për ta kufizuar ose edhe për ta mohuar këtë liri, duke përfunduar në përjashtimin e çdo shprehjeje të saj nga hapësirat publike. E duke vepruar kështu, do të dhunohej vetë liria e do të errësoheshin identitetet e veçanta e të ligjshme. Sipas Gjykatës, ekspozimi i Kryqit nuk konsiderohet indoktrinim, por shprehje e identitetit kulturor e fetar të vendeve me traditë të krishterë.

Pyetje: - Imzot Gjordano, kjo ngjarje na nxiti të gjithëve të meditojmë për Kryqin, si simbol që shikohet në klasat e shkollave, në zyrat publike, por që, megjithatë, nganjëherë nuk nxit reflektimin e duhur. Ishte vërtet rast për të reflektuar…

Përgjigje: - Personalisht mendoj se ky element është aspekti më i çmuar i kësaj ngjarjeje. Sot jemi para përpjekjeve për rizbulimin e përmasës fetare. Feja është rikthyer në skenën publike, në diskutimet politike, në fjalimet e institucioneve evropiane. Sot nuk ka ditë të mos kujtohet feja, gjë që nuk mund ta themi për të kaluarën e afërt. Prej këndej, mendoj se duhet të punojmë për ta zgjeruar më tej këtë përmasë. Reflektimi për Kryqin na ndihmoi ta theksojmë vlerën e jashtëzakonshme të përmasës fetare.

Pyetje: - Pyetja e fundit: Jezusi na mëson “Jepni Cezarit, çka i përket Cezarit; Hyjit, çka i përket Hyjit” (Mt. 22, 21). Ndoshta është mësimi më laik, që mund të jepet, pa harruar se ka konfuzion të madh ndërmjet laicitetit e laicizmit, i cili dallohet për prirjen e mohimit të të gjitha feve. A mund të na ndihmoni për ta sqaruar këtë koncept?

Përgjigje: - Laiciteti i vërtetë i ka rrënjët pikërisht në traditën e krishterë: ta dallosh Zotin nga Qesari, nuk do të thotë as të përçash, për të sunduar, e as të krijosh konflikte. Dallimi është mundësi për të bashkëpunuar, për të pohuar se çdo fushë jep kontributin e vet në ndërtimin e shoqërisë e të historisë, sipas rregullave të veta, sipas thirrjes së vet, sipas strukturave të veta. Prej këndej, duhen bërë dallime, edhe për të shmangur rrezikun e pushtetit të anasjelltë, të ndërhyrjeve në punët e njëri-tjetrit, gjë, që i hap udhën bashkëpunimit. Duke pasur mirë parasysh se si në fushën fetare, ashtu edhe në atë publike, punohet për një të mirë të përbashkët, për një subjekt të përbashkët, për njeriun.









All the contents on this site are copyrighted ©.