Sivjet autorja e teksteve për Udhën e Kryqit është një murgeshë agostiniane.
(25.03.2011 RV)Sivjet autore e teksteve për meditimet e Udhës së Kryqit, që
do të kremtohet, si çdo vit, në Koloseum, të Premten e Madhe, është murgesha agostiniane,
Nënë Maria Rita Piçione. Njoftimin e jep Salla vatikanase e Shtypit. Nëna Piçione
është Eprore e Federatës së Murgeshave agostiniane, me seli në manastirin e Katër
Shenjtorëve të kurorëzuar të Romës. Meditimet do të botohen së shpejti në një librec
të veçantë, shoqëruar me vizatime, realizuar nga një murgeshë tjetër agostiniane,
motër Elena Manganeli, e manastirit të Leçetos, pranë Sienës. Prej këndej, do të ndjehet
fort ndikimi i Shën Agostinit, në Udhën e Kryqit 2011, vit kur Pashkët do të kremtohen
më 24 prill, datë në të cilën, në vitin e largët 387, ipeshkvi i Iponës pagëzohej
nga Shën Ambrozi. Edhe asokohe ishte dita e Ringjalljes së Zotit.Për t’u shënuar,
në fund, edhe se nuk është hera e parë, që një grua harton tekstet e meditimeve. Kujtojmë
se në vitin 1993 meditimet u përgatitën nga Nënë Anna Maria Kanopi, Abateshë e Abacisë
benediktine “Nëna e Kishës”, në ishullin e Shën Julit, pranë Novarës; ndërsa në vititn
1995, nga murgesha e bashkësisë protestante të Grandshamp, në Zvicër, motra Minke
de Vries. Pastaj, më 2002, ishte radha e 14 gazetarëve të akredituar pranë Sallës
së Shtypit të Vatikanit: ndërmjet tyre, pesë gra nga vende të ndryshme të botës: Marina
Riçi, nga Italia; Aura Miguel, nga Portugalia; Sofi dë Ravinel, nga Franca; Valentina
Alazraki, nga Meksika dhe Mari Czernin, nga Gjermania.