2011-03-25 15:24:59

Predikimi i parë i Kreshmëve në Vatikan: Atë Kantalamesa: eros e agape, dy fytyrat e dashurisë.


(25.03.2011 RV)“Dy fytyrat e dashurisë: eros e agape” ishte tema e predikimit të parë të Kreshmëve, mbajtur në Vatikan nga atë Raniero Kantalamesa, në praninë e Benediktit XVI. Predikatari i Shtëpisë Papnore kujtoi se në botën e sotme spikasin dy situata, që i bien ndesh njëra-tjetrës: takohemi gjithnjë më shpesh me eros pa agape, e me agape pa eros. Pra, nga njëra anë, një eros i pastër. E vërejmë në shprehje të shumta të jetës e të kulturës së kohës sonë, posaçërisht në botën e spektaklit. Nga ana tjetër, sidomos, ndërmjet besimtarëve, një agape pa eros, një lloj “dashurie e akullt”. Një rrezik i tillë i kërcënon edhe njerëzit, që ia kanë kushtuar gjithë jetën Zotit, kujtoi Atë Kantalamesa, duke cituar Enciklikën e parë të Benediktit XVI “Deus caritas est”. Në vijim shpjegoi se duhet kapërcyer teza, sipas së cilës këto dy dashuri nuk mund të përkojnë me njëra-tjetrën. Eros e agape janë të bashkuara në vetë burimin e dashurisë, që është Zoti.
Kujtojmë se eros (έρως) do të thotë dashuri njerëzore, në të gjitha format e saj: dashuri për familjarët, për të afërmit, për miqtë, për vetveten, për njerëz të tjerë, dashuri bamirëse, ideale, shoqërore. Mbi të gjitha, dashuri për Zotin. E pikërisht nga Zoti, siç theksoi sot predikatari i Shtëpisë Papnore, shekullarizimi i dashurisë synon ta shkëpusë dashurinë njerëzore, në të gjitha shfaqjet e veta, duke e katandisur në një ndjenjë pastërtisht ‘profane’, në të cilën Zoti është i tepërt, madje edhe i besdisshëm.Ndërsa fjala “agape” (αγάπη) shpreh dashurinë e arsyes, dashuri e pakushtëzuar, që nuk pret as nuk kërkon kurrfarë shpërblimi, prej këndej, dashuri e pastër, si dashuria e Krishtit për njerëzimin. Fjala ndeshet shpesh në Ungjijtë e përshkon tej e mbanë Enciklikën e Benediktit XVI “Deus caritas est”, duke zënë kryet e vendit edhe në titullin e saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.