2011-03-25 18:31:44

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Krezhmëve ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 3-të të kohës së krezhmëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Gjendemi në mesin e kohës së Krezhmëve dhe liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele na propozon temën e simboli të ujit si pik takimi mes Zotit e njeriut. Uji bëhet simbol që përmbledh dhe shpreh kërkesën e njeriut dhe përgjigjën e Zotit. E Jezusi është shkëmbi nga i cili buron uji i jetës. Takimi i vërtetë me Zotin e ndryshon rrënjësisht jetën e njeriut, siç dëshmon historia e shën Palit Apostull, siç tregon jeta e shën Françeskut të Asizit, siç pasqyron jeta e së Lumes Nënë Terezë Gonxhe Bojaxhiut e të sa e sa të tjerëve gjatë historisë.
Të lindur prej ujit e prej Shpirtit jemi bërë krijesa të reja, por gjithmonë kemi nevojë për ujin e Fjalës së Zotit për t’u bërë përherë e më shumë të ngjashëm me Krishtin në të cilin jemi pagëzuar.
Meditimi i Fjalës së Zotit dhe ndjekja e shembullit të Jezusit, po ti jetonim në mënyrë intensive, pa u lodhur, na përgatisin ta pranojmë në ne dhuratën e hirit të Zotit, gurrën e ujin për jetën e amshuar, Shpirtin Shenjt, dhuratë që Jezusi Gjallë i bëri Kishës së vet, çdo njërit prej nesh që jemi rilindur në Të përmes hirit të Pagëzimit.
Ky është mesazhi i madh i gëzimit që liturgjia e kësaj së diele të tretë të krezhmëve na ofron, por mjerisht këtij mesazhi shpesh i bie ndesh zemërgurësia e madje deri edhe refuzimi jonë i prerë.
E Fjala e Zotit, sikur do të dëgjojmë nga pjesa e Ungjillit të kësaj së diele (Gjn 4,5-42), na fton t’i dalim para në takim Hyjit. Jezusi na pret të na takojë, sikur bëri me gruan e Samarisë. Pra, jemi të pritur në këtë takim për t’i hequr maskat e për të rigjetur të vërtetën e jetës sonë. Krishti nuk na akuzon, nuk na dënon, nuk na largon e as nuk na dëbon. Ai do të dialogoj me ne. Na vjen para në takim duke bërë hapin e parë drejt nesh e duke deklaruar etjen e tij, dëshirën e tij për të na takuar e kështu për të hyr në bashkim me ne duke na ofruar gurrën e jetës.
Jezusi dëshiron të na heq etjen e thellë që kemi e të na dhurojë ujin e gjallë. Nëse nuk fshihemi e largohemi prej tij, do të jemi edhe ne porsi Samaritanja – të pushtuar nga dashuria e tij e nga fjala e tij jetëdhënëse. Fjala e Zotit nënvizon simbolin e ujit. Kish i fton besimtarët ta kuptojnë domethënien e këtij simboli në dritën e sakramentit të Pagëzimit e të dhuratës së Shpirtit Shenjt. Tani ti dëgjojmë leximet biblike të kësaj së diele e pastaj komentin.......RealAudioMP3
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Lexim prej Librit të Daljes

Në ato ditë, populli hoqi keq për ujë dhe nynykaste kundër Moisiut: “Përse na bëre të dalim prej Egjiptit për të na vrarë ne, fëmijët tanë dhe bagëtitë tona”?
Moisiu iu drejtua Zotit me këto fjalë: “Çka të bëj me këtë popull? Edhe pak dhe do të më vrasin me gurë”.
Zoti i tha Moisiut: “Shko para popullit; merr me vete disa prej pleqve të Izraelit, merre në dorë shkopin, me të cilin e godite lumin dhe nisu! Ja, unë do të qëndroj para teje përmbi qetën e Horebit. Ti bjeri shkëmbit, e prej tij do të shpërthejë uji që populli të pijë”.
Moisiu bëri ashtu ndër sy të pleqve të Izraelit. Atë vend Moisiu e quajti: Masa dhe Meriba, për shkak të grindjes së bijve të Izraelit dhe pse e tunduan Zotin, kur thanë: “A është Zoti me ne apo nuk është?”

Fjala e Zotit

Psalmi 95 (94)

Ref:
Bëj që ta dëgjojmë zërin tënd, o Zot!

____________________________________________

Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!

____________________________________________

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai e ruan.

____________________________________________

Oh ta dëgjofshit sot zërin e tij:
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.”
____________________________________________

Leximi i dytë (Rom 5, 1-2. 5-8)

Njeriu nuk mund të mos shpresojë edhe pse rrethanat e jetës shpesh janë dramatike dhe nuk të japin shpresë. Por themeli i shpresës së krishterë është i fortë: ne i rezistojmë frikës dhe pasigurisë së jetës, sepse Hyji na do. Kjo bindje bazohet mbi provën e dashurisë që Krishti ka dhënë duke vdekur për ne. Kështu shpresa bëhet forca jonë.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, të shfajësuar, pra, me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin me anë të fesë fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. E shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua.
Dhe njëmend, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për keqbërësit. E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për një njeri të drejtë - ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.

Fjala e Zotit

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Zotëri, ti me të vërtetë je Shëlbuesi i botës:
na jep ujë të gjallë, që të mos kemi më etje
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

V Ungjilli (Gjn 4, 5-42)

Jezusi trondit jetën dhe sigurinë e Samaritanes, duke u prezantuar si pasuria e vërtetë e njeriut, e duke u dhënë një përgjigjje të sigurtë pyetjeve më të thella të zemrës. Ai është uji i vërtetë që dhuron jetën, Ai është ushqimi që nuk do të mungojë kurrë, Ai është bashkimi me Atin.
Jezusi është ai që çliron Samaritanen dhe çdo njeri nga të gjitha traditat e rreme fetare: që tani besimi i vërtetë do të jetë ai i zemrës, secili mund të jetë i aftë ta jetojë këtë besim nëse është besnik i Shpirtit të Hyjit dhe jo i shpirtit të botës.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi arriti, në qytetin e Samarisë që quhet Sihar, afër pronës që Jakobi ia pati dhënë Jozefit, birit të vet. Aty ishte pusi i Jakobit. Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul të rrijë në grykën e pusit. Ishte diku rreth orës gjashtë. Një grua nga Samaria erdhi të mbushë ujë.
Jezusi i tha: “Më jep të pi!”
Nxënësit e tij kishin shkuar në qytet të blejnë ushqime. Samaritania i tha: “Si? Ti që je judeas, kërkon ujë prej meje që jam samaritane?” [Sepse judenjtë nuk marrin e japin me samaritanë].
Jezusi iu përgjigj: “Po ta dije ti çka të dhuron Hyji dhe kush është ai që të thotë: ‘Më jep të pi!’, ti vetë do të lypje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë!”
“Zotëri - iu përgjigj gruaja - ti s’ke as me çka të mbushësh ujë e pusi është i thellë! Nga, pra, mund të kesh ujë të gjallë? A mos je më i madh se ati ynë Jakobi, që na dha këtë pus, piu vetë prej tij, si edhe bijtë e tij e bagëtitë e tija.”
Jezusi iu përgjigj: “Kushdo që pi këtë ujë përsëri do të ketë etje. Kurse, kush do të pijë ujin që unë do t’ia jap, kurrë më nuk do të ketë etje, madje uji që unë do t’ia jap do të bëhet në të burim që rrjedh në jetën e pasosur.”
Po i thotë gruaja: “Zotëri, më jep ashtu uji që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të mbush!”
Ai i tha: “Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!”
“Unë nuk kam burrë!” - iu përgjigj ajo.
“Mirë the! - ia ktheu Jezusi - ‘S’kam burrë!’
Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!”
“Zotëri - vijoi gruaja - po shoh se je profet. Etërit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se në Jerusalem është vendi ku duhet të bëhet adhurimi.”
Jezusi i tha: “Më beso mua, o grua, po vjen koha, kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal as në Jerusalem. Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve. Por po vjen koha - e tani është!- kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë, sepse Ati kërkon tamam adhurues të tillë. 24 Hyji është shpirt, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.”
Gruaja i tha: “E di se do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na zbulojë gjithçka”
Jezusi i tha: “Unë jam Mesia, unë që po flas me ty!”
Ndërkaq arritën nxënësit e tij dhe u çuditën që po fliste me një grua. Porse, prapë, askush nuk e pyeti: “Çka do?” ose: “Pse po flet me të?”
Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet. U tha njerëzve: “Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?” Ata dolën prej qytetit dhe u nisën për tek ai. Ndërkaq nxënësit po e lutnin: “Rabbi, ha!”
Ai u tha: “Kam për ushqim një gjellë tjetër që ju s’e dini.” Nxënësit pyetën njëri-tjetrin: “A mos i solli ndokush ushqim?”
Jezusi iu përgjigj: “Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi, të kryej veprën e tij. A nuk thoni ju: ‘Edhe katër muaj e, ja, korrja?’ Ja, unë po ju them: Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! Tanimë korrtari po e merr pagën dhe po mbledh frytin për jetën e pasosur, që mbjellësi e korrtari të galdojnë së bashku! Në këtë gjë vërtetohet fjala: ‘Njëri mbjell e një tjetër korr’! Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë: të tjerët u munduan e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.”
Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në të për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Më tregoi gjithçka kam bërë.” Kur, pra, samaritanët erdhën tek ai, iu lutën të rrijë tek ata. Jezusi ndenji mes tyre dy ditë. Por shumë më tepër njerëz besuan në të për arsye të mësimit të tij. Gruas i thoshin: “Tani nuk besojmë vetëm pse na tregove ti: vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës.”
Fjala e Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.