2011-03-25 16:40:09

Fjala e fundit mbi të keqen e historisë njerëzore është ajo e Mëshirës së Hyjit: kështu Papa Pendestarisë Apostolike.


“Mos harroni t’i jepni hapësirën e duhur ushtrimit të shërbimit të Pendesës në rrëfyestore: është një vend, ku mund të ndodhin mrekulli të vërteta kthimi në rrugën e Zotit”. Janë fjalët e Benediktit XVI drejtuar meshtarëve, gjatë fjalimit mbajtur pjesëmarrësve në kursin e organizuar këto ditë nga Pendestaria Apostolike.........RealAudioMP3
Misioni meshtarak është një pikë vrojtimi e pashembullt, e privilegjuar, nga e cila, ditë për ditë, mund të kundrohet shkëlqimi i Mëshirës hyjnore. Prej këndej, Papa i ftoi meshtarët ta shikojnë rrëfyestoren si vend real shenjtërimi, ku mund të kundrohet veprimi i Zotit të mëshirshëm në histori e mund të preket me dorë ndikimi shëlbues i Kryqit dhe i Ringjalljes së Krishtit, në çdo kohë e për çdo njeri:
“Jo rrallë ndodhemi para dramave të mirëfillta ekzistenciale e shpirtërore, të cilave nuk mund t’u jepet përgjigje me fjalë njerëzore, në sa rroken e pranohen nga Dashuria Hyjnore, që fal e shndërron: “Edhe në qofshin mëkatet tuaja kuq si gjaku, do të bëhen bardh si bora”(Is 1, 18). Kur e njeh e, në një farë mënyre, e viziton greminën e shpirtit njerëzor, duke hyrë në skutat më të fshehta, në se nga njëra anë vihet në provë humaniteti e feja e vetë meshtarit, nga ana tjetër, ai ushqehet me sigurinë se fjala e fundit mbi të keqen e njeriut e të historisë, i takon Zotit, që është i aftë t’i bëjë të reja të gjitha sendet” (cfr Vap 21,5).
Në një epokë, të përshkuar nga relativizmi dhe nga kriza e rrëfimit, praktikimi i këtij Sakramenti, pohoi Papa, i ndihmon meshtarë e besimtarë ta njohin më mirë vetveten, sepse:
“Rrëmimi i ndërgjegjes ka rëndësi të madhe pedagogjike: të edukon ta shikosh me sinqeritet jetën tënde, ta ballafaqosh me të vërtetën e Ungjillit e ta matësh jo vetëm me metrin njerëzor, por kryesisht me atë të Zbulesës hyjnore. Ballafaqimi me Urdhërimet e Tënzot, me Lumturitë e, posaçërisht, me Urdhërimin e dashurisë, është shkolla e parë dhe më e madhe pendestare. Në kohën tonë, plot potere, çkujdesje, por edhe përplot me një vetmi të frikshme, bisedimi i pendestarit me rrëfyesin mund të jetë një nga rastet e pakta, për të mos thënë, i vetmi, që të gjesh një njeri, i cili të dëgjon me të vërtetë, deri në fund, duke të hyrë në thellësitë e shpirtit”.Prej këndej, Benedikti XVI i ftoi meshtarët të mos e lënë pas dore rrëfimin e t’i presin besimtarët në rrëfyestore plot besim në “Hirin hyjnor, që mund ta shndërrojë jetën e njeriut e të shoqërisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.