2011-03-24 17:12:16

Janë 25 misionarë martirët e vrarë gjatë vitit 2010 në botë. Spikasin imzot Padoveze vra në Turqi, e ministri Shahbaz Bhatti, vra në Pakistan.


Sot në Ditën e 19-të botërore të lutjes dhe agjërimit për misionarët martirë, kujtojmë se në vitin 2010, sipas të dhënave kishtare, janë vrarë 25 misionarë gjatë zhvillimit të misionit të tyre fetar e njerëzor në Vende të ndryshme të botës. Lista e martirëve të krishterë të vrarë gjatë vitit 2010 përfshin ipeshkvin imzot Luigji Padoveze, vikar apostolik në Anatoli të Turqisë, 17 meshtarë, 1 rregulltar, 1 rregulltare, 2 seminaristë e 3 besimtarë laikë. Sivjet, mes tjerash, opinioni publik botëror është impresionuar në mënyrë të veçantë nga vdekja brutale e Shahbaz Bhattit, të vetmit ministër të krishterë të qeverisë së Pakistanit, vrarë para disa javësh për shkak se mbrojti deri në fund të drejtat civile dhe lirinë fetare, vlera këto që kërcënohen rëndë nga fundamentalistët islamikë të Vendit të vet.
Prej vitesh, Kisha e kremton datën e 24 marsit me lutje dhe agjërim në përkujtim të atyre që janë vrarë vetëm e vetëm pse besonin në Krishtin dhe pse mbronin e ndihmonin njeriun në të gjitha të drejtat.
Para një bote që përherë e më tepër ka frikë nga e ardhmja, para burrave e grave që nuk janë më të aftë ta lartësojnë vështrimin e të shikojnë lartë dhe të ëndërrojnë, misionarët e vrarë na ftojnë të jemi edhe më të bindur e më të fortë në fe, të besojmë se njerëzimi i ri është i mundshëm, të shpresojmë në një të ardhme më të mirë. Kështu shkruhen në doracakun e përgatitur për kremtimin e Ditës së XIX-të të misionarëve martirë, që do të shënohen me Adhurimin Eukaristik, Udhën e Kryqit e takime uratësh e gjeste tjera dashurie e bamirësie nëpër bashkësi kishtare famullitare, rregulltare e lëvizje kishtare.
Martirët e kohës sonë përbëjnë afreskun vigan të krishterimit të shekullit XX, afreskun e Lumnive, të jetuara deri në derdhjen e pikës së fundit të gjakut. E ky gjak – pati theksuar Gjon Pali II – u flet të krishterëve me zë shumë më të fuqishëm se çdo përçarje e së kaluarës.
“Është e vërtetë – vijoi Benedikti XVI – se për një çast dhuna, totalitarizmat, persekutimi, mizoria e verbër, duken sikur e mbytin përgjithnjë zërin e dëshmitarëve të fesë të cilët, parë me sy njerëzor, na duken si të mundurit e historisë. Po Jezusi i Ngjallur e ndriçon dëshminë e tyre e na bën ta kuptojmë domethënien e martirizimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.