2011-03-24 16:42:49

Filloi në Paris nisma kishtare “Oborri i Paganëve”, dialog me ata, që kërkojnë Zotin e panjohur


(24.03.2011 RV)Filloi sot pasdite në Paris iniciativa kishtare me titull “Oborri i Paganëve”, organizuar nga Këshilli Papnor i Kulturës, kryesuar nga kardinali Xhanfranko Ravazi. Projekti ka për qëllim dialogun me jo besimtarët, në një Francë të përshkuar nga kriza e thellë e vlerave. Takimi i parë u zhvillua në UNESCO, vend i privilegjuar i takimeve ndërkulturore. Pas përshëndetjes së drejtoreshës së organizmit ndërkombëtar, Irina Bokova, kardinali Xhanfranko Ravazi hapi dialogun mbi pyetjet e para: “Si mund t’i jetojmë së bashku drejtësinë e lirinë? A është urgjente të dialogohet ndërmjet të krishterëve e njerëzve vullnetmirë?” Nesër, takimet do të zhvillohen në vendet emblematike të kulturës franceze, si në Sorbonë, në Institut de France, në Collège des Bernardins e në fund, me të rinjtë, në katedralen e Notre-Dame, ku në një mbrëmje me muzikë, dëshmi, tinguj e drita, rinia do të dëgjojë edhe një videomesazh të Atit të Shenjtë. Njëkohësisht me këtë mbrëmje, në bashkësinë e Tezesë, po në Francë, të rinjtë do të mblidhen në lutje për t’u bashkuar shpirtërisht me moshatarët.
“Oborri i Paganëve” frymëzohet nga Papa Benedikti XVI, i cili foli për këtë para Kuries Romake, më 21 dhjetor 2009. I sapokthyer nga Republika Çeke, Ati i Shenjtë vëren se edhe agnostikët e ateistët e atij vendi i ndoqën me dashamirësi çastet e vizitës papnore. Që këtej, reflektimi i Papës shtrihet nga Praga në krejt botën e në kohën, që jetojmë:
“E konsideroj të rëndësishëm sidomos faktin që ne si besimtarë duhet t’i kemi për zemër edhe njerëzit, të cilët e mbajnë veten për agnostikë ose ateistë. Kur flasim për ungjillëzimin e ri, ndoshta ata frikësohen. Nuk duan ta shohin veten si objekt misioni, as të heqin dorë nga liria e mendimit dhe nga vullneti i tyre. Por çështja e Zotit mbetet e pranishme edhe për ta, megjithëse nuk besojnë në karakterin konkret të kujdesit të Tij për ne”.
Duke kujtuar fjalimin e tij në Colleges des Bernardins, që u përmend edhe sot në takimin parisian të “Oborrit të Paganëve”, Papa nënvizon se kërkimi i Zotit është themelor si hap i parë i ungjillëzimit:
“Duhet të shqetësohemi që njeriu të mos e lerë mënjanë çështjen e Zotit, që është çështje themelore e ekzistencës së tij. Duhet të shqetësohemi që ai ta pranojë atë çështje dhe nostalgjinë për Hyjin, që fshihet në të”.
Isaia profet, vazhdon Benedikti XVI, e përshkruan Tempullin e Jeruzalemit si shtëpinë e uratës për të gjithë popujt. Përshkruante kështu pikërisht “Oborrin e paganëve”, hapësirën ku të gjithë mund të luteshin, edhe jo hebrenjtë, edhe ata që e njihnin Zotin nga larg e ndoshta, vetëm kishin dëgjuar për Të. Nga kjo përvojë, mendimi për Oborrin e sotëm të paganëve:
“Unë mendoj se Kisha duhet të hapë edhe sot dyert e një lloj “oborri të paganëve”, ku njerëzit mund të lidhen njëfarësoj me Zotin, pa e njohur e para se të kenë gjetur rrugën drejt misterit të Tij, në shërbim të të cilit është jeta e brendshme e Kishës. Dialogut me fetë, sot, i duhet shtuar dialogu sidomos me ata, për të cilët feja është diçka e huaj, Zoti - i panjohur, me ata, të cilët nuk do të dëshironin të mbeteshin thjesht pa Zot, por ta afronin të paktën si të Panjohur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.