2011-03-24 12:53:57

Ekzorçisti lufton kundër djallit, që nuk është simbol, por vetje. Nis kursi për ekzorçizmin.


Këtyre ditëve pranë Universitetit Papnor “Mbretëresha e Apostujve në Romë do të mbahet një seminar me temë: “Ekzorçizmi dhe lutja e çlirimit”. Djalli nuk është simbol; është e vetje, burim i së keqes në shoqëri e në zemrën e njeriut, sepse është vrasës që nga zanafilla. Prandaj Kisha ka vendosur ta rikthejë, duke e bazuar edhe mbi studime serioze, figurën e priftit ekzorçist, duke e arkivuar figurën e djallit, parë si metaforë. E një rifillim i tillë po zgjon interes të madh ndërmjet meshtarëve të rinj. Këtë e shpjegon don Gabriele Nani, që do të jetë njëri nga referuesit kryesorë të kursit, me me titull “Ekzorçizmi dhe lutja e çlirimit”, organizuar nga Universiteti Papnor “Mbretëresha e Apostujve”. Është kursi i gjashtë i kësaj natyre, na kujton don Nani, me përvojë jo të paktë në këtë fushë, që na shpjegon se do të jetë një javë studimesh të thella, në disiplina të ndryshme, duke nisur nga e hëna e ardhshme. Figura e djallit, e gjithëpranishme në jetën e çdo njeriu, do të shikohet në të gjitha këndvështrimet: në atë teologjik, psikik, juridik e kanonik. E kjo, sepse ashtu si dje, edhe sot, lufta kundër djallit është tejet e nevojshme. Kjo luftë – pohon don Nani - shkon krah për krah me ungjillëzimin, duke pasur parasysh se, siç shprehet Shën Gjoni, Jezusi erdhi në botë për të shkatërruar veprën e djallit, posaçërisht përmes flijimit të tij eukaristik, që i hap njeriut rrugën e shëlbimit. Kjo ka qenë e duhet të jetë përsëri në qendër të vëmendjes së Kishës. E sot, në jetën e Kishës, ndjehet fort interesimi për luftën kundër djallit. Të krijohet përshtypja e fillimit të një stine të re, që e shikon djallin si vetje, e jo më si metaforë.
Don Nani kthehet 70 vjet pas, për të kujtuar disa pohime të Palit VI, ribotuar pak ditë më parë nga “L’Osservatore Romano”, në përkim me daljen në ekran të filmit “Riti”. Duke kujtuar rrezikun e pranisë së djallit si ent personal, i zvetënuar e zvetënues, Papa Montini flet pikërisht për ato vite, kur një turmë teologësh nuk e ndiqnin me vëmendje magjisterin e Kishës e kishin nisur ta mohonin ekzistencën e djallit si vetje, duke e parë thjesht si simbol. Pohimet e Papës i kundërviheshin një prirjeje të tillë, që vijon të ketë ndikim të ndjeshëm, sepse është fjala për teologë që lexohen e që studiohen shumë. Magjisteri i Kishës nuk e shikon djallin si figurë të së kaluaurës, dalë nga përrallat e legjendat, ku sigurisht bën dëme të rënda. Djalli vijon veprimtarinë e vet me zell gjithnjë më të madh, pikërisht mes nesh, në botën tonë. E nuk është një i vetëm, janë shumë – siç shprehet don Nani. E gjithë kjo turmë djajsh vijon ta tundojë njeriun, duke e nxitur të ecë në rrugën e së keqes. Deriqë shejtani bëhet aq mik me njeriun, sa ta pushtojë krejtësisht. Atëherë ndërhyrja e meshtarit ekzorçist, caktuar nga ipeshkvi, bëhet e domosdoshme. Së pari meshtari bindet se njeriu është me të vërtet i pushtuar nga djalli, gjë që vërtetohet me ndryshimin e trupit e të zërit. Atëherë vendos të kremtojë ritin e çlirimit e të shërimit, domethënë lutjen e ekzorçizimit.
Rastet e pushtimit të njeriut nga djalli janë të kufizuara – sqaron don Nani – por kjo nuk duhet të na e zbehë vigjilencën, posaçërisht sepse vijojnë të përhapen gjithnjë më shumë praktikat e ekzoterizmit e të satanizmit, të favorizuara edhe nga interneti e teknologjitë e reja. Prej këndej, shumë njerëz po pësojnë goditje nga djalli, edhe në se nuk janë ende të pushtuar plotësisht prej tij.Se ç’pasoja ka pushtimi, këtë e di mirë edhe populli shqiptar që, kur shikon një njeri të tërbuar keqas, thotë: “I ka hyrë djalli në bark”. Por në shumicën e rasteve, nuk dëshiron as ta përmendë. Në rrjedhë shekujsh, duke e parë gjithnjë si vetje, e jo si simbol i së keqes, është tmerruar aq shumë prej tij, sa nuk ka dashur t’ia kujtojë as emrin, prandaj ka përdorur shpesh fjalë e shprehje si “Brinoçi”, “Kjoftëlargu”, “I mallkuari”; e “Ai që u djegtë ndër ferra”.







All the contents on this site are copyrighted ©.